Home LAJME Ngrihet aktakuzë ndaj ministrit Damka

Ngrihet aktakuzë ndaj ministrit Damka

0
Ngrihet aktakuzë ndaj ministrit Damka

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe një personi tjetër nën dyshimin për veprat penale “sulm” dhe “kanosje”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Damka më 9 shkurt në Prizren kishte përdorur forcë fizike ndaj A.M. dhe M.J. pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë KDTP dhe për të pandehurin Damka. Rasti kishte ndodhur derisa të dëmtuarit po qëndronin në parkun e lagjes me disa anëtarë të tjerë të partisë së tyre, YTHP. Sipas aktakuzës, Damka ka shtyrë viktimën dhe e ka kanosur e sulmuar.

Po ashtu, Damka akuzohet se i ka kanosur me fjalë të dëmtuarit A.M. dhe M.J. se do t’i privojë nga jeta.

E i pandehuri tjetër F.D. (1992), akuzohet se e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin M.J.,  “se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, në atë mënyrë që, pasi e sulmon të dëmtuarin, i drejtohet me fjalë kanosëse, me ç’rast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Kanosja” sipas KPRK-së”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Damka qe arrestuar ditën e zgjedhjeve nën dyshimin për sulm dhe kanosje të një kandidateje për deputete, derisa ndaj tij ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. Por, arresti shtëpiak i qe ndërprerë më 7 mars, derisa masa i është zëvendësuar me ndalimin për t`iu afruar vendit apo personit të caktuar deri më 7 prill.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here