Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit E.J., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se sipas kërkesës, i pandehuri E.J., në cilësinë e personit zyrtar si ndërmjetësues i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij ka tejkaluar kompetencat, duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, dhe përmes këtyre veprimeve ka përfituar për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.
“Ky veprim i Prokurorisë vjen pas një hetimi disa mujor, të kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, lidhur me rastin “Pronat në Prizren”. Hetimi ka zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar pronat kadastrale të një personi të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë disa dekada më parë. Përmes këtyre veprimeve, janë ndryshuar pronësitë e 18 parcelave tokësore më fshatin Lokvicë, Komuna e Prizrenit, me vlerë rreth 1,000,000 euro, duke shkaktuar dëm material për pronarët ligjorë”, thuhet në njoftim.





