Procesi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë do të vazhdojë nesër. Nga nesër personat mbi 65 vjet pos në sallën “1 Tetori” në Prishtinë do të mund të vaksinohen edhe në QKMF në të gjitha komunat.
Vaksinimi do të nisë nga ora 08:00 deri në ora 19:30. Do të vazhdojë edhe të shtunën në të njëjtin orar.
Vaksinimi i personave mbi 65 vjet ka filluar të mërkurën, ndërsa sot, shkaku i festës së Bajramit nuk ka vaksinim.
Të mërkurën në Kosovë arritën edhe 38.400 doza të vaksinës së AstraZenecas, nga programi COVAX.
Kosova ende nuk ka lidhur një kontratë për blerjen e vaksinave, dozat e pranuara kanë qenë donacion fal mekanizmit COVAX dhe po ashtu edhe nga BE-ja.
Të mërkurën mbrëma në Interaktiv të KTV-së deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se brenda dy javëve të ardhshme do të ketë edhe kontratë për vaksina nga shteti i Kosovës.
“Besoj se brenda dy javësh do të ketë edhe kontratë për vaksinimin nga shteti i Kosovës”, ka shtuar ai duke thënë se nuk e di për çfarë sasie të dozave bëhet fjalë.