Darka e Berlinit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe emisarit evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, shkaktoi shumë zhurmë e diskutime.
Mirëpo, darkat që bëjnë bashkë Kosovën dhe Serbinë nuk kanë mbaruar, pasi përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, këtë të mërkurë ka organizuar një darkë joformale me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor, njofton Klankosova.tv.
Darka e sotme është pjesë e traditës për t’i ftuar liderët ballkanik dy herë në vit për të diskutuar të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet.
Sipas BE-së agjenda e kësaj darke do të përfshijë ndryshimin e mjedisit të sigurisë në Evropë në dritën e agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas raportimeve pjesëmarrjen në këtë darkë e kanë konfirmuar: Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.
Pasi kryeministri Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjenden për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gërvalla do të marrë pjesë në këtë darkë.
Njohësi i integrimeve evropiane, Bekim Çollaku, e vlerëson si gabim politik e strategjik pjesëmarrjen e Gërvallës në vend të Kurtit.
“Mendoj se është gabim politik dhe strategjik që kryeministri, Albin Kurti, nuk merr pjesë në këtë takim. Një ministre e Punëve të Jashtme nuk mund ta zëvendësoj në asnjë mënyrë mungesën e liderit apo kryeministrit të një shteti, në këtë rast të Kosovës. Si pasojë ky takim i sotëm është një mundësi e humbur për Kosovën për të artikuluar në të njëjtin nivel me shtetet tjera kërkesat tona legjitime në relacion me BE-në”.
Sipas tij në rast se në takim diskutohet për dialogun, kjo temë mund ta hmubë kuptimin në mungesë të Kurtit.
“Sigurisht se mund të përmendet kalimthi, mirëpo jo të diskutohet ndonjë gjë konkrete. Aq më tepër, kjo temë e humb kuptimin në mungesë të kryeministrit Kurti”.
Çollaku për Klankosova.tv thotë se në këtë darkë do të diskutohet edhe për procesin e vonuar të integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Darka apo takimi i organizuar nga Borrell, është një mundësi e mirë që liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor të shprehin pikëpamjet e tyre për zhvillimet aktuale që kryesisht ndërlidhen me ndikimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe implikimet direkte dhe indirekte për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe në Evropë”.
“Një temë tjetër sigurisht do jetë procesi i vonuar i integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këtë aspekt, si gjithmonë BE do të përsëritë refrenin e njohur se “e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda BE”, ndërsa liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të përsërisin zhgënjimin dhe frustrimin e tyre me mungesën e progresit drejt antarësimit në BE”.
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, vlerëson se me organizimin e darkave të tilla shihet një angazhim i shtuar i qendrave botërore ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ai për Klankosova.tv thotë se darkat kur Kosova merr pjesë si e barabartë me shtetet tjera janë të mirëseardhura, ndërsa nuk e përjashton mundësinë e diskutimit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Darka të tilla ku Kosova merr pjesë si e barabartë janë të mirëseardhura, dhe duhet shfrytëzuar në maksimum. Shihet se ka një angazhim të shtuar të qendrave botërore nda rajonit të Ballkanit, sidomos pas konfliktit në Ukrainë, dhe kjo duhet mirë pritur dhe shfrytëzuar maksimalisht”.
“Pak ka rëndësi se kush e përfaqëson Kosovën në atë darkë, pra në mungesë të kryeministrit Kurti i cili është për vizitë në ShBA, përfaqësimi i Kosovës bëhet nga zëvendëskryeministrja Gërvalla”.
“Duke pasur parasysh që dialogu është pika kyçe e çështjeve të mbetura në Ballkan, mund të presim se do të zë vend diskutimi edhe në këtë darkë” tha Ibrahimi.