Amantina Kelmendi, neurokognitiviste në Institutin Pedagogjik të Kosovës, në një intervistë për Kosova Press, ka folur për rëndësinë e qasjes ndërdisiplinore dhe neuro-shkencës, si mundësi për transformimin e sistemit arsimor.
“Kombinimi i fushave tashmë është esenciale, për shkak se edukimit duhet t’i qasemi në formën se si mirret. Neuro-shkenca kongitive në edukim sjell pikërisht këtë ndryshim. Nuk shkon më në mënyrën e vjetër, qoftë të qasjes ndaj mësimit, qoftë të adaptimit të metodave të mësimdhënies. Ne kemi rezultate shumë të ulëta në teste ndërkombëtare, e nuk janë të kënaqshme as ato vendore. Prandaj, ndryshimi është esencial. Gjendja aktuale përmes vëzhgimit, pyetsorëve është e mangët sepse nuk po sjell dobi, dhe neuro-shkenca ofron qasje direkte përmes teknikave, metodave të saj”, thekson Kelmendi.
Tutje, neurokognitivistja Kelmendi e ka cilësuar neuro-shkencën si inovacion të qasjes ndaj mësimdhënies, duke shtuar se sfidat financiare dhe mungesa e potencialit njerëzor në institucionet e vendit, po pengojnë zhvillimin e projekteve që ndihmojnë integrimin ndërkombëtar në fushën e arsimit.
“Neuro-shkenca është përdorur në shumë profile të ndryshme nëpër botë, mirëpo në edukim mund ta quajmë si një inovacion të qasjes ndaj mësimdhënies. Ne veçse do të fillojmë me një projekt që e kemi përfituar nga MASHTI, me implementimin e metodave kognitive në këtë aspekt. Në institucionet tona është shfaqë një mungesë e potencialit njerëzor, do me thënë nuk ka individë apo zyre të veçanta që i prijnë proceseve, për shkak se këto procedura burokratike pastaj po i ndalin zhvillimin e projekteve për t’u integruar ndërkombëtarisht. Mundësitë janë, kemi limitime, normalisht kemi limitime edhe të fondeve të brendshme, për shkak që edhe ligji është në përmirësim e tutje, pra është në proces. Nuk është që nuk është bë shumë, mirëpo ndoshta jemi në hapat final kur ne mund të marrim një tatëpjetë. Por, esenca është që projekte ndërkombëtare ka, ka univeristete, ka institute kërkimore-shkencore që kanë përfituar shumë nga fondet ndërkombëtare. Jemi të rrjetëzuar por jo aq shumë sa ka nevojë. Sfidat janë kryesisht financiare, të procedurave, administrative, të natyrave të cilat nuk janë që nuk tejkalohen”, potencoi tutje Kelmendi.