Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka takuar në Jerusalem homologun nga Shqipëria, Edi Rama.
Fillimisht ata kanë zhvilluar një takim privat, e më pas kanë mbajtur edhe një takim të zgjeruar me stafet e tyre.
Netanyahu e lavdëroi Ramën duke e cilësuar “një mik i madh i popullit hebre, një mik i madh i shtetit hebre dhe, mund të them gjithashtu, një mik i madh personal. Ai përfaqëson frymën e vërtetë të Shqipërisë.”
Kryeministri izraelit gjatë deklarimit të tij, njofton Zyra e tij, theksoi se njerëzit dhe bota duhet ta dinë se Shqipëria ishte i vetmi vend europian ku gjatë Holokaustit popullsia hebreje u rrit dhe nuk u zvogëlua.
“U rrit sepse shqiptarët, shqiptarët myslimanë, në frymën e moderimit, të tolerancës dhe të dinjitetit njerëzor, mbrojtën qindra hebrenj që jetonin në Shqipëri në atë kohë dhe gjithashtu pritën shumë të tjerë. Kjo është fryma që ju përfaqësoni. Kjo është historia – po flisnim për të disa minuta më parë – kjo është historia që bota duhet ta dijë. Kjo është lënda, siç thatë ju, e filmave frymëzues”- tha Netanyahu.
Ai u shpreh se shqiptarët qëndruan me guxim kundër atyre që përpiqen t’i frikësojnë dhe me të vërtetën.
“Ju qëndruat përkrah Izraelit kur u sulmuam nga këta barbarë. Busulla juaj morale nuk u lëkund. Kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënon si një udhëheqës të shquar për popullin tuaj dhe, mendoj, për segmente të gjera të njerëzimit që duan të mbrohet e vërteta dhe vlerat morale që ne ndajmë”- shtoi ai.
Ai ngriti në piedestal Shqipërinë duke thënë se njerëzit duhet ta dinë rolin e madh që Shqipëria luajti, rolin moral që Shqipëria pati gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore.
Netanyahu tha se jo çuditërisht, Izraeli dhe Shqipëria po ndërtojnë lidhje të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit, duke treguar se numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800 për qind duke paralajmëruar se së shpejti do të jetë në mijëra.
Ai inkurajoi izraelitët që të viztojnë Shqipërinë dhe poashtu edhe investitorët.
“Kjo do të përforcohet edhe më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, mendoj nesër, nën patronazhin e Kryeministrit Rama. Kjo është diçka që besoj se do t’i avancojë lidhjet tona ekonomike”- shtoi ai.
Kurse, kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë deklarimit të tij, tha se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera të rrënjosura në një miqësi të thellë mes popullit shqiptar dhe atij hebre, të formuar ndër shekuj historie.
“Sa herë që hebrenjtë e përndjekur në Perëndim erdhën dhe u vendosën në brigjet tona, trashëgimia unike historike e Shqipërisë për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje jashtëzakonisht të veçantë”- u shpreh ai pas takimit.
Rama tha se për të dhe për shiptarët kjo është një dëshmi e guximit moral të gjyshërve shqiptarë.
Në emër të Qeverisë, ai tha se janë plotësisht të përkushtuar ta çmojmë këtë trashëgimi nga historia dhe të mbajmë një qëndrim të fortë, të qartë dhe të qëndrueshëm kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.
“Ne qëndruam përkrah pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neo-nazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme jo vetëm për izraelitët, por për shumë kohë edhe për vëllezërit dhe motrat tona palestineze, të çnjerëzuar nga Hamasi deri në atë pikë sa të reduktohen në instrumente lufte, të shndërruar në infrastrukturë mbrojtëse prej mishi njerëzor – të paparë e të padëgjuar në historinë e barbarisë – thjesht mish për zjarrin e terrorit”- tha Rama.
Prandaj, Rama shtoi se Shqipëria është e nderuar t’i bashkohet Bordit të Paqes të themeluar nga Presidenti Trump dhe do të të mbështesë të gjitha përpjekjet, përfshirë planin e paqes të Presidentit Trump për Gazën.
“Dhe, Kryeministër, më lejoni të shpreh edhe një herë mirënjohjen tonë të sinqertë për Izraelin për mbështetjen e tij jetike gjatë sulmit masiv kibernetik iranian kundër Shqipërisë”- shtoi ai.
Ashtu si Izraeli, Shqipëria nuk mban marrëdhënie diplomatike me Iranin.
Rama tha se mirëpret zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, duke u mbështetur në ekspertizën teknologjike të Izraelit dhe veçanërisht përmes marrëveshjeve të përditshme për ndërtimin e përbashkët të një industrie të re ushtarake të mbrojtjes.
“Dhe falë partneritetit me Izraelin, po rikrijojmë kushtet që prodhimet ‘Made in Albania’ në sistemet e mbrojtjes të shkojnë edhe jashtë vendit”- tha ai.
Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku numri i hebrenjve pas luftës ishte më i madh se para saj, nga 200 para Holokaustit në rreth 2 mijë, pas luftës./Kallxo.com
