Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të shtunën, më 15.11.2025, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës i rundit të dytë për kryetarë të 18 komunave.
Sipas njoftimit, numërimi fillon në ora 10:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Deri të premten e 14.11.2025 në ora 10:00, sipas KQZ-së, janë vlerësuar më shumë se 9 mijë e 800 pako. Prej tyre janë aprovuar më shumë se 7 mijë e 240 dhe janë refuzuar rreth 2,570.
KQZ bën të ditur se në 2 mijë e 500 raste, pakot janë refuzuar për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit dhe dokumentit unik me të dhëna që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ.
Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale u mbajt më 09.11.2025, kurse rundi i parë më 12.10.2025.
Sipas rezulateve preliminare, në balotazh në Prishtinë ka fituar Përparim Rama i LDK-së, në Prizren Shaqir Totaj i PDK-së, në Gjakovë Ardian Gjini i AAK-së, në Pejë Gazmend Muhaxheri i LDK-së, në Gjilan Alban Hyseni i LVV-së, në Mitrovicë Faton Peci i LVV-së, në Dragash Bexhet Xheladini i LDK-së, në Suharekë Bali Muharremaj i AAK-së, në Rahovec Smajl Latifi i AAK-së, në Junik Ruzhdi Shehu i LDK-së, në Klinë Zenun Elezaj i AAK-së, në Fushë-Kosovë Valon Prebreza i LVV-së, në Obiliq Halil Thaçi i LVV-së, në Vushtrri Ferit Idrizi i PDK-së, në Kaçanik Sabedin Vishi i PDK-së, në Viti Sokol Haliti i LDK-së, në Kllokot Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe dhe në Mamushë Abdulhadi Krasniç i KDTP-së./kallxo.com/
