Qenëtë endacakë vazhdojnë të mbeten një problem i dukshëm në shumë qytete të Kosovës, përfshirë edhe Komunën e Prizrenit. Ky fenomen ka shkaktuar shqetësim të madh për banorët dhe ka bërë që autoritetet lokale dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve të intensifikojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje.
Për ta zgjishur këtë çështje, Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Prizrenit ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “Albos” Sh.P.K., e cila operon në fshatin Grejkoc të Suharekës, për ndërtimin e një strehimoreje për qenët endacakë. Kontrata, e nënshkruar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, ka një vlerë totale prej mbi 274 mijë euro.
Punimet do të përfundojnë brenda 300 ditëve të punës nga data e hyrjes në fuqi të kontratës, ndërsa periudha garantuese për defektet do të jetë dy vjet kalendarikë, pas pranimit përfundimtar të punimeve.
Në përmbledhje të kostove, punët ndërtimore dhe zejtare janë shpërndarë në disa kategori, si më poshtë:
- Punët e dheut: 19 mijë euro
- Punët e betonit: 40 mijë e 551 euro
- Punët e armaturës: 66 mijë euro
- Punët e muratimit dhe suvatimit: 4 mijë e 275 euro
- Punët e kulmit: 57 mijë e 342 euro
- Punët e zdrukthtarisë: 16 mijë e 850 euro
- Punët e dyshemesë: 6 mijë e 240 euro
- Punët e ngjyrosjes: 4 mijë e 275 euro
- Punët e fasadës: 8 mijë e 272 euro
- Punët e tjera: 22 mijë e 425 euro
- Punët e parterit: 10 mijë e 627 euro
- Punët e hidro-instalimeve: 9 mijë euro
- Punët e elektro-instalimeve: 8 mijë e 768 euro
Detaje të tjera të plota mund të gjenden në dokumentin e bashkëngjitur të kontratës.
Kjo strehimore pritet të kontribuojë ndjeshëm në zgjidhjen e problemit të qenve endacakë në qytet, duke krijuar kushte më të sigurta dhe më humane për këta kafshë, si dhe duke përmirësuar sigurinë dhe shëndetin publik.