Janë mbledhur në sallën e seancave deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës.
PDK-ja të hënën kanë dërguar një kërkesë te kryesuesi i Kuvendit, i cili është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, për mbajtjen e seancës konstituive.
Në kërkesën e saj, kjo parti ka deklaruar se Dehari e ushtron këtë rol për të mundësuar zhvillimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit, ndërsa, sipas saj, nuk i takon atij të vendosë politikisht nëse dhe kur duhet të vazhdojë seanca.
“Roli i tij është procedural, i përkohshëm dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
Dehari më herët ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit.
“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.
Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja./KOHA