LAJME

Haxhiu paralajmëron takimin VV-LDK për presidentin

Haxhiu paralajmëron takimin VV-LDK për presidentin
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Gusht 2026, 08:58

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahet një takim mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit.

Pas takimit me partitë parlamentare, pa përfshirjen e opozitës, Haxhiu u shpreh se është njoftuar nga kryetari i VV-së se do ta ftojë së shpejti në takim LDK-në.

LDK-ja e refuzoi pjesëmarrjen në takim duke thënë se e konsideron Haxhiun vetëm si deputete. Ajo kërkoi takim direkt me Kurtin. Ndërsa dy partitë tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca po kërkojnë njëherë konstituimin e Kuvendit para diskutimeve për çështje të tjera.

“Kemi qëndrim të LDK-së për president konsensual. Le të fillojmë të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual, që s’është në ndonjë parti politike. Kryetari i VV-së e përsëriti se nuk do që të ketë kandidat nga VV-ja. Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë dhe të ndodhin shumë shpejt. Sipas njoftimit që na dha Kurti, me LDK-në do të ketë takim shumë shpejt. Por uroj që këtyre takimeve t’u bashkohen edhe partitë tjera politike, jo të refuzojnë sepse refuzimi s’çon në marrëveshje. Qytetarët presin kuvend, qeveri e president”, ka njoftuar Haxhiu në konferencën për media pas takimit.

LDK-ja është partia e vetme që ka negociuar me Kurtin. Ditë më parë, kjo parti njoftoi se ka hequr dorë nga marrëveshja politike dhe ka kërkuar president konsensual jopartiak./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika