PRIZRENI ME RAJON

Në Prizren u shpërndanë 50 biçikleta në kuadër të projektit “ReCycle4Future”

Në Prizren u shpërndanë 50 biçikleta në kuadër të projektit “ReCycle4Future”
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Qershor 2026, 21:33

U mbajt me sukses ceremonia e shpërndarjes së biçikletave në kuadër të projektit “ReCycle4Future – Projekti për Rikthimin e Biçikletave në Përdorim sipas Parimit Zero Mbeturina dhe Lëvizjes së Gjelbër”.

Projekti është mbështetur nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe Fondacioni Sıfır Atık, ndërsa implementohet nga Klubi i Çiklizmit Pro Bike Prizren.

Në ceremoni morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Türkiye në Prizren, Fatih Topçu, Koordinatorja e TİKA-s në Kosovë, Fulya Aslan, Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe qytetarë të shumtë.

Gjatë fjalimeve përshëndetëse u theksua rëndësia e promovimit të lëvizjes së gjelbër, mbrojtjes së mjedisit dhe forcimit të solidaritetit në komunitet përmes projekteve të tilla sociale.

Në kuadër të projektit, i cili u realizua përgjatë dy muajve të fundit, u organizua një kampanjë për grumbullimin e biçikletave të papërdorura apo të dëmtuara. Falë interesimit të madh të qytetarëve, u grumbulluan gjithsej 50 biçikleta, të cilat më pas u servisuan, u riparuan, u pastruan dhe u kthyen në gjendje të plotë funksionale nga anëtarët dhe vullnetarët e Klubit të Çiklizmit Pro Bike Prizren.

Përfituesit e biçikletave u përcaktuan në bashkëpunim me shoqata humanitare dhe organizata lokale, duke u dhënë përparësi personave dhe familjeve me nevojë. Para ceremonisë së dorëzimit, një pjesë e përfituesve morën trajnim bazik për përdorimin e sigurt të biçikletës, mirëmbajtjen dhe servisimin e saj, ndërsa trajnimet teorike dhe praktike do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.

Pas dorëzimit të biçikletave, pjesëmarrësit realizuan një tur simbolik në qytetin e Prizrenit, i organizuar nga Pro Bike Prizren dhe i shoqëruar nga Policia e Kosovës.

Organizatorët theksuan se qëllimi i projektit është që biçikletat e papërdorura të mos mbeten mbeturina, por të fitojnë një jetë të dytë, duke kontribuar në një komunitet më të gjelbër, më të shëndetshëm dhe më solidar.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika