LAJME

Këndi Amerikan në Prizren mbledh të rinjtë në Camp Global 2026, Totaj: Përvoja dhe lidershipi janë çelësi i suksesit

Këndi Amerikan në Prizren mbledh të rinjtë në Camp Global 2026, Totaj: Përvoja dhe lidershipi janë çelësi i suksesit
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Gusht 2026, 09:14

Këndi Amerikan në Prizren ka bërë të ditur se me një atmosferë frymëzuese dhe energji pozitive, ka filluar edicioni i radhës i Camp Global 2026, një aktivitet i dedikuar të rinjve, me fokus në socializimin mes tyre, zhvillimin e aftësive, lidershipin, inovacionin dhe kthimin e ideve në veprim.

Në ceremoninë hapëse ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili mbajti një fjalim të veçantë për pjesëmarrësit. Gjatë fjalës së tij, Totaj ndau me të rinjtë përvoja nga studimet e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhimi i tij në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe rrugëtimi i tij në udhëheqjen e Komunës së Prizrenit.

Mesazhi i tij mbi rëndësinë e përvojës, lidershipit dhe përkushtimit shërbeu si një nisje motivuese për pjesëmarrësit e kampit.

Camp Global 2026 po organizohet në bashkëpunim me American Corner Prishtina dhe organizatën joqeveritare amerikane Gulf Coast Diplomacy, e cila këtë vit përfaqësohet nga Eden Davenport.

Organizatorët e përshkruajnë Camp Global si më shumë sesa një kamp të zakonshëm. Ai synon të krijojë një hapësirë ku të rinjtë mund të socializohen me njëri-tjetrin, të mësojnë, të zhvillojnë aftësitë e lidershipit dhe t’i shndërrojnë idetë e tyre në iniciativa konkrete.

Me një nisje të tillë, Camp Global 2026 premton të jetë një eksperiencë e veçantë për të rinjtë pjesëmarrës, ndërsa aktivitetet dhe përvojat e reja pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.

“Ky është vetëm fillimi”, është mesazhi me të cilin organizatorët kanë përcjellë hapjen e edicionit të këtij viti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika