LAJME

Në Prizren mbahet trajnimi për avokim në politika mjedisore gjithëpërfshirëse dhe tranzicion të gjelbër

Në Prizren mbahet trajnimi për avokim në politika mjedisore gjithëpërfshirëse dhe tranzicion të gjelbër
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Qershor 2026, 14:01

OJQ “EC Ma Ndryshe” ka njoftuar se në Prizren është mbajtur trajnimi dyditor “Avokim në Politika Mjedisore Gjithëpërfshirëse dhe Tranzicion të Gjelbër”, në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e tranzicionit të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”.

Sipas njoftimit, trajnimi mblodhi të rinj e të reja, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, aktivistë, mësimdhënës dhe nxënës të shkollave të mesme, me synimin e fuqizimit të njohurive dhe aftësive të tyre në fushën e avokimit për politika mjedisore, si dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive në proceset e tranzicionit të gjelbër.

Siç bëhet e ditur, gjatë dy ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet kryesore që lidhen me tranzicionin e gjelbër, ndryshimet klimatike, efiçiencën e energjisë, ekonominë qarkore dhe politikat relevante të Bashkimit Evropian dhe Kosovës në fushën e mjedisit.

Tutje, bëhet e ditur se përmes sesioneve ndërvepruese, diskutimeve dhe punës praktike në grupe, ata analizuan sfidat mjedisore me të cilat përballen komunitetet e tyre dhe shqyrtuan mundësi konkrete për adresimin e tyre përmes avokimit dhe bashkëpunimit me institucionet lokale.

“Në kuadër të trajnimit, pjesëmarrësit hartuan plane veprimi për angazhimet e ardhshme në komunitetet e tyre, me fokus në promovimin e politikave mjedisore gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ata gjithashtu punuan në identifikimin e aktorëve relevantë, formulimin e mesazheve avokuese, zhvillimin e kërkesave konkrete dhe simulimin e proceseve të dialogut me vendimmarrësit” – thuhet në njoftim.

Sipas EC-it, ky trajnim synon të kontribuojë në krijimin e një rrjeti të të rinjve dhe aktorëve lokalë të gatshëm për të promovuar zgjidhje të qëndrueshme mjedisore dhe për të luajtur një rol aktiv në proceset e tranzicionit të gjelbër në Kosovën Perëndimore.

Siç bëhet e ditur, ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika