Policia në Prizren ka arrestuar të dyshuarin M.G., i cili ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura.
Rastin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit.
Sipas Bytyqit, i dyshuari ka pranuar se ka kryer së paku pesë raste të vjedhjes dhe me vendim të prokurorit kujdestar atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Ju njoftojmë se pas një pune operative-hetimore në terren dhe grumbullimit të dëshmive, sot më datë 08.04.2026, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”.” – ka thënë Bytyqi.
Po ashtu, Bytyqi njofton se gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë në trup i është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
“Lidhur me rastin, në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.” – ka shtuar Bytyqi.