Pas zgjedhjeve të fundit lokale, në nëntë komuna do të ketë ndërrim pushtetesh. Në raundin e parë, tri komunat si Mitrovica, Skenderaj dhe Hani i Elezit kanë zgjedhur kryetar të rinj. Kurse, në garën e balotazhit pushteti u ndërrua edhe në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Vushtrri, Kamenicë dhe Shtime.
Pas zgjedhjeve të fundit lokale, nëntë komuna nuk do të udhëhiqen nga kryetarët e deritanishëm. Në raundin e parë qytetarët kanë vendosur që të mos ua vazhdojnë mandatin Agim Bahtirit në Mitrovicë, Bekim Jasharit në Skenderaj e Rufki Sumës në Han të Elezit. Në raundin e dytë, kryetari në detyrë, Lutfi Haziri, menjëherë pas rezultateve të para nga KQZ-ja, ia ka uruar Alban Hysenit të LVV-së, fitoren, teksa ka thënë se këto zgjedhje ishin demokratike.
“Në emër të LDK-së, dhe në emrin tim e përgëzoj për rezultatin e arritur, z. Alban Hyseni, do të jetë kryetar i zgjedhur i Gjilanit pasi që të konfirmohen rezultatet nga ana e KQZ-së, dhe e ka urimin tim të parë si kryetar në detyrë. Nga nesër do të vazhdoj të ndërtoj ekipin për transicion sipas detyrës zyrtare, duke qenë kryetar në detyrë do të përgatis të gjithë infrastrukturën në bartjen e detyrave sipas përgjegjësive që më takojnë”, ka deklaruar Haziri.
Zgjedhjet i humbi edhe Qëndron Kastrati në Kamenicë. Kastrati kundërkandidat kishte Kadri Rrahimajn e LVV-së, të cilin e uroi për fitoren. E një nga shkaktarët për humbjen e tij, ai ka përmendur reformën në arsim.
“Pas mbledhjes së shumicës së votave nga komisionerët tanë, Vetëvendosje del se ka fituar shumicën e këtyre votave. I uroj kundërkandidatit fitoren dhe i dëshiroj suksese! Është më se e qartë që reforma në arsim e ka ndikuar disponimin e pesë fshatrave në këto zgjedhje, e cila ka ndikuar dukshëm në rezultat”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.
Ndërrim të pushtetit pati edhe në Komunën e Shtimes. Aty, Naim Ismaili i PDK-së pas njëzet e një vjetëve do t’ia lëshojë postin e kryetarit, Qemajl Aliut nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili fitoi në garën e balotazhit. Përmes një statusi në “Facebook”, Ismaili ka falënderuar qytetarët e Shtimes dhe i ka uruar punë të mbarë kundërkandidatit të tij.
“Të nderuar qytetarë të Shtimes. Jam krenar që ju kam shërbyer për 21 vjet rresht dhe juve qytetarë të Shtimes ju dëshiroj fat! Ju falënderoj për besimin e dhënë në zgjedhjet e raundit të parë dhe të dytë. Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve që u mbajtën sot, nuk më kanë nxjerrë fitues prandaj rezultatin e njoh si të tillë dhe pres rezultatet përfundimtare të cilat do t’i respektoj. Kundërkandidatit ia uroj fitoren dhe punë të mbarë”, ka shkruar Ismaili.
Edhe në Prizren e Vushtrri, kryetarët e deritanishëm nuk do të udhëheqin me komunat përkatëse. Për dallim nga Mytaher Haskuka në Prizren, Xhafer Tahiri i LDK-së në Vushtrri e ka uruar për fitore kundërkandidatin e tij nga radhët e PDK-së, duke thënë se e respekton vullnetin e shumicës.
“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë. Në liri e demokraci, zgjedhjet janë festë, ju me votën tuaj sot i dhatë besimin kundërkandidatit tim z. Ferit Idrizi. Ky është vullneti i shumicës së qytetarëve të Vushtrrisë, e unë dhe LDK e respektojmë në plotni vullnetin qytetar, prandaj më lejoni të uroj z. Ferit Idrizin për fitore në Vushtrri”, ka deklaruar Tahiri.
Me kryetar të ri është bërë edhe Prishtina. Por, fituesi Përparim Rama nuk pati përballë kryetarin e deritashëm, Shpend Ahmeti, por kandidatin e LVV-së, Arben Ahmeti.
Në Junik e Dragash, për shkak të rezultatit të ngushtë, gara mbetet e hapur. Votat e diasporës dhe ato me kusht do ta vendosin fituesin në këto dy komuna.