LAJME

Në Gjakovë gjenden mbetje eshtërore, dyshohet se janë të një personi të zhdukur në luftë

Në Gjakovë gjenden mbetje eshtërore, dyshohet se janë të një personi të zhdukur në luftë
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Janar 2026, 13:00

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Gjakovë janë gjetur mbetje eshtërore të cilat dyshohet se janë të një personi të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Ekipet policore në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe njësitet tjera kompetente kanë hasur në mbetje eshtërore, të cilat dyshohet se i përkasin së paku një individi-personi, që figuron në listën e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Mbetjet eshtërore thuhet se janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtutjeshme mjeko-ligjore.

Të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë konsiderohen edhe afro 1.600 persona, ndërsa institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë akuzuar Serbinë për mungesë bashkëpunimi për zbardhjen e fatit të tyre.

Gjatë vitit që shkoi, janë bërë gërmime në 32 lokacione të ndryshme, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës. Kjo ka rezultuar me gjetjen e mbetjeve mortore të 16 personave që dyshohen si të zhdukur./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika