Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, më 19.05.2026 morën pjesë në Forumin Itali–Kosovë për Agrobiznes.
Në këtë ngjarje të rëndësishme që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës e Italisë morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, Nita Shala, ambasadorja e Kosovës në Itali, Maurizio Antonini, ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Caputo, këshilltari i ministrit të Jashtëm të Italisë dhe të tjerë.
Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij ka thënë se Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës në fushën e ekonomisë, diplomacisë, sigurisë, si dhe në mbështetjen për zhvillimin e vendit tonë.
“Marrëdhëniet tona janë të forta dhe tani është koha që ato të thellohen edhe më shumë në dimensionin ekonomik dhe prodhues.”- është shprehur ai.
Kurti ka potencuar se ky forum ka rëndësi të veçantë pasi zhvillimi ekonomik nuk vjen vetëm nga kapitali, por ai ndërtohet përmes partneriteteve, shkëmbimit të përvojave dhe lidhjeve direkte ndërmjet bizneseve.
Kurse, ministri Muja ka deklaruar se Kosova është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Italinë jo vetëm në bujqësi dhe agrobiznes, por edhe në sektorë të tjerë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.
“Pjesëmarrja e fermerëve dhe agrobizneseve italiane në këtë forum është dëshmi e interesit konkret për bashkëpunim me Kosovën. Ne jemi të hapur për partneritete me Italinë në fushën e bujqësisë, agropërpunimit dhe në sektorë të tjerë me interes të ndërsjellë. Besojmë se përmes investimeve, shkëmbimit të njohurive dhe transferimit të teknologjisë mund të krijojmë vlerë të shtuar për prodhuesit dhe ekonomitë e të dy vendeve.” – ka thënë Muja sipas njoftimit.