Policia e Kosovës ka njoftuar se gjithnjë e më shpesh hasin në raste kur qytetarët gjejnë sende të humbura – më së shpeshti para – në rrugë dhe i dorëzojnë në polici. Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë, sipas tyre.
Një rast i tillë bëhet e ditur se ka ndodhur edhe të enjten, më 18.06.2026, rreth orës 19:00, kur një fëmijë 15-vjeçar, duke lëvizur me biçikletë në rrugën Dragash–Brod, afër fshatit Kukajan, gjeti një kuletë me dokumente dhe para në vlerë prej 153 euro.
Sipas njoftimit, ai menjëherë e dorëzoi kuletën në Stacionin Policor Dragash, ku pas identifikimit të pronarit përmes dokumenteve, ky i fundit u kontaktua me telefon.
“Më 19.06.2026, rreth orës 10:00, personi që kishte humbur kuletën u paraqit në stacionin policor dhe mori sendet e tij, duke shprehur falënderim për gjestin e fëmijës, si dhe për angazhimin e Policisë së Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka vlerësuar lartë këtë veprim, i cili sipas tyre, dëshmon ndershmëri, përgjegjësi dhe bashkëpunim qytetar me institucionet e rendit.