Furnizimi me ujë, digat, trajtimi i ujërave të ndotura dhe menaxhimi i mbeturinave ishin temat e diskutimit në sesionin plenar të dytë për mjedisin, me temën “Mbyllja e ciklit: Uji, ujërat e ndotura dhe mbeturinat për një ekonomi qarkore në Ballkan”, në kuadër të Samitit të Ballkanit. Në këtë sesion u diskutuan sfidat e ndotjes së lumenjve, nevoja për përmirësimin e trajtimit të mbeturinave dhe rëndësia e investimeve në infrastrukturën mjedisore.
Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni tha se modeli aktual i grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave në deponi për secilën komunë nuk është mjaftueshëm funksional dhe, sipas tij, kontribuon në ndotjen e lumenjve në Kosovë.
“Grumbullimi dhe trajtimi i mbeturinave, dhe në këtë drejtim mendoj që modeli i zonës, apo i deponisë ku mblidhen mbeturinat dhe trajtohen mbeturinat për secilën komunë, nuk është shumë funksional për arsye se prodhon edhe shumë ndotje për shumicën e lumenjve në Republikën e Kosovës. Në planet tona të themi të muajve dhe viteve që vijnë, është zhvillimi i pesë zonave ku ne do të ndërtojmë deponitë e mbeturinave, do të fillojmë me Pejën, do të vazhdojmë me Prishtinën, mandej me regjione të tjera. Në të cilat do të vendoset grumbullimi i mbeturinave, respektivisht edhe trajtimi i tyre, që sa më pak prej tyre të mbesin në deponitë të cilat do të ndërtohen, dhe ne kështu të kemi mundësi që të kontribuojmë edhe siç e kemi detyrë, por edhe siç e kemi nevojë, si qytetarë të këtij vendi, që të kemi një ambient të pastër, të kemi një trajtim të duhur të mbeturinave, dhe sa më shumë prej tyre të kenë mundësi të riciklohen të rikthehen, në përdorim, siç janë shumë prej mbetjeve që grumbullohen pa nevojë të trajtohen në Republikën e Kosovës, sikur edhe në vendet e tjera, dhe kështu të arrijmë tek një pikë kur përmes pesë deponive në regjionet e caktuara të Kosovës, të kemi mundësi që ne të eliminojmë një brengë jashtëzakonisht të madhe të qytetarëve tanë që është eliminimi i mbeturinave nga rrugët, nga lagjet, në përmasat që duhet”, theksoi Hyseni.
Ai ka thënë gjithashtu se duhet të rritet vetëdija e qytetarëve për hedhjen e mbeturinave në vendet e përcaktuara
“Uroj që edhe këtë diskutim që kemi në këtë samit ta kemi edhe si një, shtysë tutje që jo vetëm të arrijmë me kompanitë tona regjionale të ndikojmë që të tilla mbeturina të mblidhen, por njëkohësisht edhe të kemi mundësinë që ta ngrisim nivelin e vetëdijes tek secili qytetar sa i takon nevojës që mbeturinat duhet të hedhen në vende të përcaktuara ku duhet të hedhen”, tha Hyseni.
Menaxheri i projekteve dhe analist i politikave mjedisore, UNDP Agim Mazreku, tha se ndër problemet kryesore mjedisore në Kosovë janë mungesa e trajtimit të ujërave të ndotura, rrjedhja e lëndëve ushqyese nga aktivitetet bujqësore dhe hedhja e paligjshme e mbeturinave të ngurta.
“Tri problemet kryesore që ne i konsiderojmë më të rëndësishme, bazuar në përvojën tonë dhe të dhënat, janë, mungesa e trajtimit të ujërave të ndotura, rrjedhja e lëndëve ushqyese nga aktivitetet bujqësore, hedhja e paligjshme e mbeturinave të ndryshme të ngurta. Kam parë dhe vërejtur gjithashtu punën që ministria aktuale ka ndërmarrë për pastrimin e lumenjve dhe të deponive ilegale. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, sepse krijon mundësi për të theksuar ndërlidhjen ndërmjet këtyre dy fushave, mbeturinave dhe ujit. Edhe pse nuk e di saktësisht se çfarë përqindje të ndotjes e shkaktojnë ujërat e ndotura dhe sa mbeturinat e ngurta, ajo që dimë është se, nëse do ta krahasonim gjendjen vetëm përmes pamjeve vizuale të një lumi, do të vërenim shumë më lehtë mbeturinat në të sesa parametrat e ndotjes së ujit, siç janë vlera e pH-së apo nivelet e tjera kimike. Megjithatë, këta parametra ndikojnë më shumë në peshkim, veçanërisht përmes nivelit të oksigjenit në ujë”, tha ai.
Mazreku përmendi gjithashtu Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, duke theksuar se gjatë planifikimit të projekteve infrastrukturore dhe tërheqjes së investimeve duhet të merret parasysh edhe sjellja e qytetarëve dhe e institucioneve të përfshira.
“Ajo që është e rëndësishme t’u theksohet investitorëve të huaj është se qeveria ka publikuar Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave dhe besoj se masat e ndërmarra janë në drejtimin e duhur. Një element që duhet të merret gjithmonë parasysh gjatë zhvillimit dhe përgatitjes së projekteve, si dhe krijimit të kushteve për tërheqjen e investimeve, është sjellja e njerëzve. Shpesh, ky faktor neglizhohet. Nëse e shikoni Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave të publikuar nga qeveria, një nga elementet kryesore që duhet ta marrin parasysh investitorët është studimi i sjelljes së njerëzve. Nuk mund të planifikoni dhe zhvilloni një projekt infrastrukturor pa e kuptuar paraprakisht se si do të sillen palët e ndryshme të përfshira, kompanitë e mbeturinave, qytetarët në amvisëritë e tyre, kompanitë e grumbullimit të mbeturinave, ministritë dhe institucionet e tjera”, theksoi Mazreku.
Derisa Samiti i Ballkanit po vazhdon me panele të tjera, sesioni i radhës do t’i kushtohet energjisë dhe qendrave të të dhënave të inteligjencës artificiale, me temën “Furnizimi me energji i së ardhmes: Burimet e ripërtëritshme, ndërlidhja dhe qendrat e mëdha sovrane të të dhënave për inteligjencën artificiale”./KP