LAJME

Samiti i Ballkanit, Kosova synon të arrijë 1600 megavatë kapacitete të energjisë së ripërtërirë deri 2031

Samiti i Ballkanit, Kosova synon të arrijë 1600 megavatë kapacitete të energjisë së ripërtërirë deri 2031
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Tetor 2026, 14:28

Kosova synon të arrijë 1 mijë e 600 megavatë kapacitete të energjisë së ripërtërirë në rrjet deri në vitin 2031, ndërsa po vazhdon investimet në energjinë diellore, atë të erës dhe sistemet e baterive për balancimin e sistemit energjetik.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, në kuadër të Samitit të sotëm të Ballkanit që po mbahet në Prishtinë, duke theksuar se synimi është ndërtimi i një sektori të qëndrueshëm energjetik dhe integrimi i tij në tregun evropian.

Mjeku tha se strategjia e energjisë ka për objektiva kryesore mbrojtjen e mjedisit, sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë e kostos së energjisë.

“Ne po punojmë të ndërtojmë një sektor të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian, konkretisht kemi një strategji të energjisë që është ambicioze, realiste, synon të përthekojë  trekëndëshin e sfidave bashkëkohore që njërën anë është mbrojtja e mjedisit, në anën tjetër është siguria e furnizimit edhe përballueshmëria e kostos. Trekëndëshi që përthekojnë, siç kemi thënë, gjithherë me të dy duart, në njërën anë i kemi kapacitetet prodhuese, kapacitetet e magazinimit, por edhe investimet në rrjetin energjetik. Në anën tjetër, edhe politikat edhe programet e efiçiencës energjetike. Pra, po punojmë të ulim konsumin aty ku mundemi, edhe të kemi sa më shumë energji për të mbështetur industritë intensive, por edhe në përgjithësi rritjen ekonomike të vendit. Tashmë kemi mbyllur këndin e parë të diellit dhe parku diellor prej 105 MW po ndërtohet, që është rezultat i një gare të hapur në treg. Po i shqyrtojmë ofertat për ankandin e erës, kurse vitin e ardhshëm do ta nisim edhe një ankand të ri për energji me erë. Kemi marrë dy oferta nga një kompani amerikane që do ta ndërtojnë sistemin e baterive, një projekt gjigant, që do të ndihmojë balancimin e sistemit energjetik, dhe zhvillohet me përkrahjen bujare të Korporatës së Sfidës 9-vjeçare të Shteteve të Bashkuara, që japin 202 milionë dollarë grant”, tha Mjeku.

Ndërsa shtoi se për këtë projekt do te ndajë fonde edhe shteti. Përveç zhvillimit të burimeve të ripërtërira, Mjeku theksoi se Kosova synon edhe integrimin rajonal dhe evropian në sektorin e energjisë.

“Projektet janë në fushën e energjisë së gjelbër. Synojmë të kemi 1600 MW kapacitete të energjisë së ripërtërirë në rrjet deri në vitin 2031 dhe njëherësh të rritet konsumi prej këtyre burimeve. Njëkohësisht, synojmë integrimin rajonal dhe evropian. Po punojmë edhe me komunitetin e energjisë ku sivjet Kosova e ka kryesimin. Do të shtyjmë përpara integrimin e Kosovës dhe vendeve të rajonit, por njëkohësisht edhe të ndiqet rruga e tranzicionit të drejtë për qytetarët dhe kompanitë tona”, tha Mjeku./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika