Në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren janë ndarë mirënjohje për profesionistë shëndetësorë për kontributin e tyre shumëvjeçar në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore për nënën, të porsalindurin dhe fëmijën.
Në kuadër të kësaj iniciative, drejtori mjekësor i spitalit, Dr. Shefki Xharra, së bashku me drejtoreshën e infermierisë, Burbuqe Gashi, pritën në takim Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS), Dr. Agron Gashi, i shoqëruar nga Prof. Dr. Shefqet Lulaj, Dr. Nijazi Shala dhe drejtori i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Agon Bytyqi.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale dhe punën e vazhdueshme të spitalit, me fokus në shërbimet shëndetësore për nënën, të porsalindurin dhe fëmijën.
Drejtori mjekësor, Dr. Shefki Xharra, falënderoi delegacionin për vizitën dhe vlerësoi iniciativën për të nderuar profesionistët shëndetësorë që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e këtyre shërbimeve.
“Vizita juaj dhe iniciativa për të nderuar me mirënjohje profesionistët shëndetësorë për kontributin e dhënë ndër vite dëshmon rëndësinë e profesionit të tyre në ofrimin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor për popullatën”, tha Xharra, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për nënën, të porsalindurin dhe fëmijët.
Ndërsa, Dr. Agron Gashi tha se vizita në Maternitet, Neonatologji dhe Pediatri ishte mundësi për të parë nga afër punën që zhvillohet sot, por edhe për të shprehur respekt dhe mirënjohje për profesionistët që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e këtyre shërbimeve.
Sipas tij, kontributi i profesionistëve shëndetësorë nuk matet vetëm me vitet e punës, por edhe me ndikimin që kanë lënë në institucionet ku kanë shërbyer, në gjeneratat e reja të profesionistëve dhe në jetët e pacientëve për të cilët janë kujdesur.
Në shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin shumëvjeçar në shërbim të shëndetit të nënës, të porsalindurit dhe fëmijës, mirënjohje iu ndanë profesionistëve shëndetësorë tashmë të pensionuar: Dr. Fëllanza Gjergjizi, Dr. Adem Kafexholli, Shqipe Zherka dhe Besire Xhurxhehallo.
Mirënjohje të veçantë iu ndanë edhe Prof. Dr. Shefqet Lulajt dhe Dr. Nijazi Shalës, për kontributin e tyre profesional dhe shumëvjeçar në shërbim të shëndetësisë dhe zhvillimit të kujdesit shëndetësor për nënën dhe fëmijën.
Pas ceremonisë, delegacioni vizitoi Repartin e Neonatologjisë, Repartin e Gjinekologjisë, Maternitetin dhe Repartin e Pediatrisë, ku u njoh nga afër me punën dhe shërbimet që ofrohen për pacientët.
Në këtë aktivitet u përcoll edhe mesazhi se mirënjohja për profesionistët që kanë shërbyer ndër vite është njëkohësisht respekt për ata që vazhdojnë të shërbejnë sot dhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme të profesionistëve shëndetësorë.