LAJME

Kushtetuesja: Kuvendi u konstituua pas afatit

Kushtetuesja: Kuvendi u konstituua pas afatit
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Shtator 2026, 13:07

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur sot lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, që kishin të bënin me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Kryetares së Kuvendit, mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstituimin e legjislaturës së XI-të dhe zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.

Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Megjithatë, Kushtetuesja ka vendosur se Vendimi i Kuvendit i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se deputetët duhet që sa më parë ta zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.

Sipas aktgjykimit, tejkalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka bërë që të fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit dhe Qeverisë.

Kushtetuesja ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka nisur më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Gjykata njëzëri e ka shpallur kërkesën të pranueshme, ndërsa ka refuzuar kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.

Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika