LAJME

Gjini: Kosova shkon në zgjedhje, fajtor për situatën është Albin Kurti

Gjini: Kosova shkon në zgjedhje, fajtor për situatën është Albin Kurti
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Shtator 2026, 14:53

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjini ka thënë se konstatimi i Gjykatës Kushtetuese për skadimin e afateve është në përputhje me qëndrimin që, sipas tij, Aleanca e ka mbajtur prej kohësh.

“E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë”- ka deklaruar Gjini në Facebook.

Sipas tij, Kosova tashmë po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe përgjegjësinë për situatën politike ia ka atribuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”- ka shkruar Gjini.

Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka nxjerrë vendin nga një situatë e paparashikuar dhe ka përmendur 6 tetorin si një datë që, sipas tij, ishte pritur edhe nga partia që kishte fituar zgjedhjet e kaluara.

Gjini ka komentuar edhe çështjen e respektimit të Kushtetutës, duke thënë se shkeljet kushtetuese nuk mund të arsyetohen me motive patriotike.

“Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”- ka deklaruar ai.

Në fund, Gjini ka thënë se qytetarët e Kosovës, sipas tij, i kuptojnë zhvillimet politike dhe interesat partiake të aktorëve politikë.

“Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët”- ka përfunduar Gjini.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, ndërsa ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Vendimi është marrë më 23.09.2026, lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të parashtruara nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjykata, njëzëri, ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në nenin 66 të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas Kushtetueses, kalimi i këtij afati ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, kur posti i Presidentit është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë.

Në këtë kuadër, Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 82 të Kushtetutës, ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Kushtetuesja ka konstatuar gjithashtu se deputetët e Kuvendit duhet që “sa më parë” të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës.

Ndërkohë, Gjykata ka vlerësuar se vendimi i 13 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme dhe ka vendosur që aktgjykimi t’u kumtohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas tejkalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar për përfundimin e këtij procesi. Megjithatë, ai është shpallur i konstituuar edhe pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve të Kryesisë – atij që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar, PDK-së. Dhe vetëm disa orë pas përmbylljes së këtij procesi, Kuvendi votoi Qeverinë Kurti 4.

Formimi i Qeverisë është bërë disa orë pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit, në të cilën janë zgjedhur edhe tre nënkryetarët e këtij institucioni, por jo edhe e propozuara e PDK-së, për këtë pozitë, Vlora Çitaku. Ardian Gola i LVV-së ishte zgjedhur më 11 shtator.

Në seancën për votimin e Qeverisë nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe ata të Aleancës, por të pranishëm kanë qenë deputetët e Listës Serbe dhe ata të komuniteteve joshumicë – joserbe.

Kurti nuk ka bërë asnjë ndryshim në kabinetin qeveritar, por ka bërë një sërë premtimesh për mandatin e ri si kryeministër. Pas zgjedhjes së Qeverisë ka mbetur vetëm edhe votimi për presidentin e shtetit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika