Qeveria e Shqipërisë e ka miratuar fondin për projektin e ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit që njihet si Ura e Zogut. Monumenti gati njëshekullor, ka disa vjet që është monument i rrezikuar, përderisa reshjet e fundit e kanë degraduar edhe më tepër.
Qeveria e Shqipërisë ka miratuar fondin prej 57,5 milionë lekësh (mbi 50 mijë euro) për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.
Ministria e Kulturës ka publikuar lajmin e vendimit të ekzekutivit për miratimin e fondit për të shpëtuar një trashëgimi të arkitekturës siç është ura e Zogut mbi lumin Mat.
“Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore, për komunitetin dhe në veçanti për një objekt të rëndësishëm infrastrukturor dhe monumental siç është Ura e Matit apo siç njihet: Ura e Zogut”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë. “Në mbledhjen më të fundit të Qeverisë u miratua fondi prej 57,5 milionë lekësh, që mundëson zbatimin e projektit për ndërhyrjen emergjente në të këtë objekt, i cili pësoi dëmtime të rënda, për shkak të reshjeve të disa muajve më parë. Ka qenë një proces intensiv pune, me shkëmbime idesh, punë në terren, çka nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të kushteve të vështira atmosferike”, thuhet në njoftim ku bëhet e ditur se pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale të projektit të ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit, nën kujdesin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku, u mblodh dhe u angazhua Komiteti Mbrojtjes Civile, me qëllim sigurimin e fondit të nevojshëm për zbatimin e tij.
“Projekti është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin Politeknik dhe Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër me shumë përgjegjësi e profesionalizëm”, ka njoftuar Ministria e Kulturës.
Po ashtu, Ministria e Kulturës ka shtuar se miratimi i projektit u parapri nga vendosja e pajisjeve monitoruese, për të mundësuar të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.
Ministria e Kulturës ka pasur takime dhe konsultime të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët janë treguar të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre, duke shprehur konsiderata për këtë operacion të ndërmarrë përgjatë muajve të fundit.
Miratimi i këtij fondi, jo vetëm mundëson ndërhyrjen emergjente, por krijon kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problematikës në Urën e Matit.
Ura e Matit është inauguruar më 26 maj 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter. Është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernët për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj dite nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën. Por ka vite që ka qenë e rrezikuar dhe pa ndërhyrje. Ekspertët ka disa vjet që kanë alarmuar se Ura e Zogut po humbet vlerat unike arkitekturore.