Është ndarë nga jeta, historiani dhe studiuesi i mirënjohur, Enver Batiu. Ai ishte një mësimdhënës dhe studiues i përkushtuar, i njohur fillimisht në trevën e Opojës në vitet ’70 dhe më pas në Prizren, ku dha kontribut të çmuar në arsim dhe shkencë. Ai la gjurmë të rëndësishme në fushën e historisë shqiptare, veçanërisht në studimet për Opojën, Gorën dhe figurat kombëtare.
Ndër veprat e tij më të spikatura janë studimet “Opoja trevë e lashtë shqiptare” dhe “Qasje antishkencore e Jastrebovit për Opojen e Gorën”, të përfshira edhe në librin Opoja – aspekti historik. Ai botoi gjithashtu një sërë punimesh për Ymer Prizrenin, ku trajtoi trashëgiminë, gjenealogjinë dhe veprimtarinë e kësaj figure kyçe të historisë kombëtare, si dhe shkroi recensione dhe studime për personalitete të tjera historike.
Batiu, që nga ditët e para, iu përgjigj kushtrimit për liri dhe mori pjesë aktivisht në Luftën Çlirimtare të Kosovës. Për një periudhë, ai ishte zëvendëskomandant i Brigadës 125 të UÇK-së, në Vërri.





