Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar në Komisionin hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore se disa prindër kanë refuzuar të kompensohen nga Qeveria për librat shkollorë. Kjo deklaratë u konsiderua absurde nga opozita. Sipas saj, ka prindër që ende janë duke i pritur mjetet financiare
Në Komisionin Hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, të enjten, është ngritur si shqetësim nga deputetët se jo të gjithë prindërit i kanë pranuar mjetet financiare për librat shkollorë.
Ky shqetësim është ngritur edhe nga Armend Muja, deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai i ka kërkuar sqarime ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
“Jo të gjithë janë pajisur me tekste mësimore, po thoni se janë 197 mijë përfitues. Çfarë masash ka marrë Ministria për t’u kujdesur që të gjithë të kenë qasje për të shfrytëzuar atë të drejtë që ia ka dhënë ligji”, ka thënë ai.
E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se disa prindër kanë refuzuar subvencionimin nga Qeveria.
“Ka pasur prind që kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të aplikojnë, pasi nuk kanë nevojë”, ka thënë ajo.
Këtë e quajtën absurde deputetët e opozitës. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ende ka prindër që janë duke pritur të kompensohen nga Qeveria për blerjen e teksteve shkollore për fëmijë.
“Kur është bërë kompletimi i furnizimit me datë i shkollave dhe i nxënësve me tekste? Kemi shqetësime që nuk është bërë në të njëjtën kohë, në Komunën e Gjakovës kemi vërejtje që ende qytetarët nuk i kanë marrë paratë për tekste”, ka thënë ai.
Nagavci ka deklaruar se nuk ka informacione se ka aplikues që nuk është subvencionuar nga shteti.
“Kompletimi i furnizimit, ne kemi vazhduar me pagesa deri në prill të vitit të kaluar. E kemi hapur në gusht, pagesat e para janë realizuar në muajin gusht, kush ka aplikuar më vonë apo ka pasur sfida janë realizuar edhe në shtator, tetor e me radhë. Sa i përket Gjakovës apo komunave të tjera e përsëris se personalisht nuk jam në njohuri. Nuk mbaj mend që kemi asnjë ankese, kërkesë apo shqetësim”, ka thënë ajo.
Komisioni hetimor parlamentar është krijuar pasi vitin e kaluar Ministria e Arsimit ka ndryshuar metodën e blerjeve të librave, meqë paraprakisht ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese.
Përgjegjësinë për blerjen e librave Ministria ua barti prindërve përmes subvencionimit.
Filloristët janë subvencionuar me 80 euro, ndërsa nxënësit e nivelit të mesëm të ulët me nga 30 euro.
Sipas ministres së Arsimit, për këtë proces janë shpenzuar mbi 11 milionë euro.