LAJME

Nagavci: Për 24 orë aplikuan mbi 60 mijë prindër për subvencionim të teksteve shkollore

Nagavci: Për 24 orë aplikuan mbi 60 mijë prindër për subvencionim të teksteve shkollore
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Gusht 2024, 13:22

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka njoftuar se brenda 24 orëve të para, pas hapjes së aplikimit për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova, kanë aplikuar 60 mijë e 244 prindër.
Në një status në Facebook ajo ka inkurajuar prindërit që nuk kanë aplikuar ende që ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Të mërkurën në Këshillin e Prindërve kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e së martës të Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore.

Sipas këtij këshilli, ka ende prindër që nuk janë subvencionuar nga shteti për tekstet shkollore të vitit të shkuar.

E grupi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” e ka quajtur këtë praktikë të paligjshme teksa në opozitë e kanë kualifikuar si të dëmshme për buxhetin.

Prindërit e nxënësve që i vijojnë mësimet në nivelin fillor do të subvencionohen me nga 80 euro për blerjen e librave, teksa ata të nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën me 110 euro.

Teksa është përcaktuar shuma për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore, në MASHTI kanë thënë se ende nuk i dinë çmimet e sakta të teksteve shkollore.

Bazuar në aktivitetin e prokurimit për blerjen e librave, Ministria ka pasur në dispozicion 9.4 milionë euro për blerjen e librave. E të mërkurën Qeveria ka ndarë edhe 6.5 milionë euro për MASHTI-in në funksion të subvencionimit të prindërve për blerjen e teksteve shkollore.

Vitin e shkuar procesi mësimor pati filluar më 1 shtator, porse, sipas drejtorive të Arsimit, disa nxënës nuk janë furnizuar me tekste shkollore deri në muajin dhjetor. E MASHTI-i ka konfirmuar se disa prindër nuk janë subvencionuar deri në muajin maj./KOHA/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika