EKONOMI

Nafta godet rëndë bizneset në Kosovë

Nafta godet rëndë bizneset në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Prill 2026, 13:08

Pasojat e luftës në Iran kanë dalë përtej fushëbetejës, duke u kthyer menjëherë në një faktor tronditës për tregjet globale të energjisë.

Gjatë më shumë se një muaji armiqësi të ashpra – me sulme të SHBA-së dhe Izraelit në njërën anë dhe kundërpërgjigje të Iranit në anën tjetër – çmimi i naftës së papërpunuar Brent, standard global i referencës, është rritur deri në gati 50 për qind në kulmet e krizës.

Kjo rritje, e nxitur nga pasiguritë rreth furnizimit global, është reflektuar shpejt në tregjet evropiane të energjisë – deri në Kosovë.

Pa rafineri të veten të naftës, Kosova është tërësisht e varur nga importet dhe, për pasojë, e ekspozuar drejtpërdrejt ndaj lëkundjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt deri në mes të prillit, çmimet e naftës në vend janë rritur për më shumë se 50 centë për litër.

Në përpjekje për të kontrolluar tregun, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka përcaktuar një marzhë maksimale tregtare për derivatet e naftës, duke kufizuar kështu hapësirën e fitimit për shitësit, dhe më pas e ka zëvendësuar atë me çmime tavan.

Por, efekti i kësaj mase mbetet i diskutueshëm, sidomos për bizneset që varen drejtpërdrejt nga importi dhe zinxhirët globalë të furnizimit. Disa prej tyre raportojnë se ajo nuk është e mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostove të prodhimit.

Në Ferizaj – pjesa juglindore e Kosovës – fabrika e produkteve të pastrimit “Cadi Cleaning” është një shembull i drejtpërdrejtë i kësaj trysnie. Brenda pak javësh, kostot e lëndës së parë për të, që importohet nga jashtë, janë rritur në mënyrë drastike.

Pronari i saj, Sadri Gashi, thotë se baza e prodhimit të tyre – granulati plastik – është e lidhur ngushtë me naftën, pasi rrjedh nga përpunimi në rafineri. Si rezultat, çdo lëvizje në çmimin e naftës përkthehet pothuajse menjëherë në rritje të kostove për fabrikën e tij.

“Kryesisht te ne lëndë e parë është thuajse nafta. Granulati ka përmbajtje prej naftës, do të thotë prej rafinerisë, kështu që te ne ka ngritje të çmimeve ekstrem shumë, rreth 100% është ngritja e çmimit”, thotë Gashi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Përveç shtrenjtimit të lëndës së parë, janë rritur edhe kostot e transportit dhe furnizimit, duke e rënduar edhe më tej bilancin e kompanisë. Aktualisht, fabrika e Gashit, me 75 punëtorë dhe me rreth 70 për qind të prodhimit të orientuar për eksport, po operon me stoqe të siguruara më herët, ndërsa furnizimet e reja vijnë me çmime dukshëm më të larta.

“Pak kemi marrë me çmimet e reja, me shpresën që do të rregullohet dhe stabilizohet tregu, sepse me këto çmime nuk e di se si do të jemi konkurrentë në tregjet ndërkombëtare”, thotë Gashi.

Kjo pasiguri nuk ndalet vetëm tek ekpsortet, por gradualisht zhvendoset edhe në tregun e brendshëm, ku bizneset përballen me zgjedhjen mes uljes së fitimit ose rritjes së çmimeve për konsumatorët. Në të dyja rastet, presioni ekonomik përfundon te qytetari.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e konsumit kanë vazhduar të rriten edhe në mars, duke konfirmuar trendin e inflacionit në vend. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni mujor arriti në 1.5 për qind krahasuar me shkurtin, ndërsa norma vjetore ishte 6.7 për qind, krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Kjo valë shtrenjtimesh vjen mbi një terren tashmë të lodhur nga inflacioni rekord i fillimit të viteve 2020, që ishte nxitur nga pandemia COVID-19, e pastaj edhe nga lufta në Ukrainë.

 

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se çmimet e naftës janë një nga shtytësit kryesorë të inflacionit në vend.

Në një ekonomi si Kosova, e varur pothuajse tërësisht nga tregjet e huaja – me mbi 7 miliardë euro importe dhe më pak se 1 miliard euro eksporte vitin e kaluar, ai thekson se derivatet përbëjnë kosto bazë për çdo biznes, dhe shtrenjtimi i tyre reflektohet drejtpërdrejt në transport, prodhim dhe çmime finale.

Me fjalët e tij, Kosova po importon edhe pasojat e krizës së fundit në Lindjen e Mesme.

“Çmimi i derivateve të naftës nuk është rritur vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë dhe në mbarë botën. Në vendet ku prodhohet lënda e parë, kostot operative ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të saj. Më pas, prodhuesi ynë e blen atë lëndë të parë dhe e importon me çmimin e ri që vendos prodhuesi i atij vendi”, thotë Rafuna për Exposenë.

Sipas tij, sektori më i prekur nga shtrenjtimi i derivateve të naftës është ai i prodhimit. Ai paralajmëron se rritja e kostove e dobëson konkurrueshmërinë e bizneseve vendore përballë importit, duke sjellë rënie të kërkesës për prodhimet vendore dhe, pastaj, rrezik për tkurrje të prodhimit, mbyllje biznesesh dhe humbje të vendeve të punës.

Në këtë kontekst, Rafuna thekson nevojën për ndërhyrje më aktive të Qeverisë, në mbrojtje të prodhimit vendor – çmimet tavan për derivatet e naftës thotë se nuk mjaftojnë.

“Ne kemi kërkuar qysh para një muaji, kur kishte tendencë të rritjes së çmimeve, që të merren masa: ose të ulet norma e akcizës, ose të ulet norma e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, apo madje të largohet krejtësisht TVSH-ja. Por, nuk është ndërmarrë asnjë veprim, me arsyetimin se dëmtohet buxheti i shtetit”, thotë Rafuna.

Akciza për derivatet e naftës në Kosovë është 36 centë për litër, ndërsa TVSH-ja llogaritet në 18 për qind të çmimit final./REL/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika