Ish-kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka komentuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani, të cilën e kritikoi për veprimet të njëanshme dhe madje jo të ligjshme.
Ai tha se Osmani edhe në krye të Presidencës po vazhdon të veprojë sikur të ishte pjesë e Vetëvendosjes.
“S’ka qenë unifikuese kur ka marrë vendim për kryetaren e KQZ-së, sepse nuk merren vendimet e tilla. Shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe Kushtetutës, sepse s’ka pasë të drejtë të marrë këtë vendim. S’e kam parë që ka qenë unifikuese edhe në kontaktet me grupet parlamentare dhe me partitë politike. Ajo akoma vepron si me qenë pjesë e Vetëvendosjes dhe një presidente e tillë nuk i nevojitet vendit. Mendoj se duhet ta ndërrojë këtë qëndrim dhe të kalojë në një qëndrim neutral n mënyrë që secili ta shohë veten se ka përkujdesjen dhe sigurinë e presidentes së vendit. Nëse punon në një kanal presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari atëherë është rrezik për vendin sepse s’ka kush i amortizon disa vendime që për qytetarët, të cilat për subjektet politike mund të mos jenë të volitshme”, tha Mustafa për Klan Kosova.





