Home LAJME Mushkolaj: Mediat online duhet të vetërregullohen

Mushkolaj: Mediat online duhet të vetërregullohen

0
Mushkolaj: Mediat online duhet të vetërregullohen

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara, Imer Mushkolaj, ka thënë se mediat online në vend duhet të hyjnë në konceptin e vetërregullimit, bashkë me mediat e shkruara. Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Mushkolaj ka thënë se ky këshill duhet të fuqizohet si trup i rëndësishëmm, nëpërmjet qëndrueshmërisë financiare.

Të martën, KMSHK-ja publikoi një hulumtim të kryer mbi mediat online, duke thënë se gjetja kryesore është për mungesën e hallkës së zinxhirit të raportimit, mungesës së lektorëve dhe të redaktorëve. Në konferencën për media, Mushkolaj u shpreh se është evident edhe mosbashkëpunimi me organizata në identifikimin e lajmeve të rreme.

Për debatin se a duhet mediat online, që kanë edhe përmbajtje të videove, të përfshihen në Komisionin e Pavarur të Medias e jo në KMSHK, kjo është kundërshtuar nga Mushkolaj. Sipas tij, përfshirja e mediave online në konceptin e rregullimit (ku hyjnë përmbajtjet radio-televizive) do të komplikonte më shumë funksionimin.

“Mediat e shkruara dhe online duhet të vetërregullohen. Përmbajtjen e videove në online, mediat e kanë kryesisht nga televizionet. Për shembull, nëse diçka del në KOHA.net shumica e video-përmbajtjes është nga KTV-ja. Po të ketë ankesë në KOHA.net për përmbajtjen e KTV-së ne e drejtojmë në KPM dhe ata merren me këtë”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, mediat anëtare në KMSHK duhet të fuqizohen e institucionet duhet të mendojnë për fuqizim të KMSHK-së. Ai ka thënë se si shembull mund të ketë ndarje të buxhetit, përmes buxhetit që ndahet për transmetuesin publik.

Mushkolaj është ankuar për tempo jo të shpejtë të funksionimit të institucioneve për çështjen e mediave.

Ai ka kritikuar diskursin e qeveritarëve dhe deputetëve për mediat. Sipas tij, çkado që thuhet publikisht, “edhe nëse nuk e ke menduar se si do të tingëllojë, kjo është problematike dhe duhet të adresohet”.

Sipas Mushkolajt, trendi i lajmeve të rreme është bërë më problem së fundmi për shkak të lehtësisë së shpërndarjes së lajmeve. Ai ka thënë se ka ekspansion të shpërndarjes së përmbajtjes online, që kryesisht nuk bazohet në përmbajtje të kodit të etikës – ka mungesë të informacionit.

“Mediat mund të bëjnë shkelje, mund të shkelin kodin e etikës. Mund të ketë lëshime, ka edhe media që përmbajtjet i plasojnë jo të plota, por të thuash se gjithçka që është në internet i prodhojnë mediat, është e pavërtetë”, ka thënë ai. Sipas tij, ato që bëjnë lajme fiktive janë “media” pas të cilave qëndrojnë individë a grupe që fshihen për përfitime financiare apo edhe për agjenda në zgjedhje politike.

Një gjë shqetësuese, Mushkolaj e ka parë edhe te marrja e lajmeve korrekte të mediave korrekte dhe deformimin e më pas servimin e tyre te publiku nga të ashtuquajturat media. “Ata njerëz që qëndrojnë pas tyre, e arrijnë qëllimin nëse publiku i klikon”, ka thënë ai.

Për mungesën e informacionit të plotë, Mushkolaj ka thënë se në shumë raste po bëhet për shkak të mosgatishmërisë së institucioneve për të ofruar përgjigje, por se ka raste edhe të mosgatishmërisë së gazetarëve për të përdorur çdo formë për të arritur tek informacioni.

Ai ka thënë se brenda muajit në KMSHK pranohen mes 20 deri 30 ankesa nga institucionet, akademikët, bizneset e qytetarët. Ankesat më të shpeshta ka thënë se janë për “‘raportimin e së vërtetës’ që i ngërthen të gjitha problematikat që i përmendëm, dhe e dyta ‘e drejta për t’u përgjigjur’, sepse nuk u jepet e drejta për të dhënë përgjigje”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here