Shkembin Bytyqi, kryetar i bashkësisë lokale në lagjen “Jeta e Re” sot ka reaguar për gjendjen e mungesës së ujit në Prizren.
Sipas tij, edhe pse jemi në sezonën e vjeshtës mungesa e ujit është bërë më shqetësuese.
Bytyqi, tutje ka theksuar se në rast që mungesa e ujit vazhdon edhe më tutje, do të organizohet protestë në koordinim me qytetarët.
Reagimi i plotë:
Alarmante Mungesa e ujit në Prizren
Të nderuar qytetarë,
Gjendja me furnizimin me ujë të pijshëm në territorin e Prizrenit ka arritur një nivel alarmant. Edhe pse jemi në sezonin e vjeshtës, kur zakonisht pritet një stabilizim i situatës, mungesa e ujit është bërë edhe më shqetësuese, veçanërisht në lagjen Jeta e Re.
Fatkeqësisht, menaxhmenti i “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, i emëruar nga Qeveria dhe Kryeministri Albin Kurti, ka dështuar të ofrojë zgjidhje dhe transparencë për këtë krizë. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar për arsyet e kësaj mungese dhe as për hapat konkretë që do të ndërmerren.
Kjo papërgjegjësi dhe mungesë e komunikimit ka krijuar frustrim të madh tek qytetarët. Shumë prej jush më kontaktoni çdo ditë për këtë çështje, dhe me të drejtë kërkoni përgjigje.
Prandaj, është koha që të bashkohemi dhe të reagojmë.
Nëse ky neglizhencë vazhdon, nuk na mbetet rrugë tjetër veçse të organizojmë protestë qytetare, për të kërkuar të drejtën tonë bazë, furnizimin me ujë të pijshëm.
Apelojmë për përgjegjësi, transparencë dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse!
Ky menagjmenti nuk e meriton ta udhëheqë Hidroregjioni Jugor, duhet te shkoje në shtëpi.