Sektori i energjisë elektrike në Kosovë ende po ballafaqohet me problemin e mungesës së tregut efektiv konkurrues. Edhe pse po bëhet hapja graduale e tregut të energjisë elektrike, deri tani nuk ka treg konkurrues të energjisë elektrike në Kosovë.
Megjithëse deri tani janë të licencuar tre furnizues, vetëm njëri prej tyre është aktiv në treg i cili furnizon të gjithë konsumatorët. Nëse do të kishte më shumë furnizues në tregun e energjisë elektrike në Kosovë, furnizimi me energji elektrike do të ishte më i qëndrueshëm.
Kosova ka bërë mjaft hapa drejt reformimit të sektorit të energjisë, por ka ende shumë punë lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë. Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë po bëhet në mënyrë graduale, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për të përshtatur ndryshimin e ligjeve me gjendjen e sektorit të energjisë në Kosovë.
Kur shumë shtete kanë dështuar me dekada të liberalizojnë tregun e energjisë elektrike nga monopolet e zhvilluara, Kosova synon të liberalizojë tregun totalisht edhe për konsumatorët fundor në një të ardhme shumë të afërt.
Ka projekt modele të shumta, por gjithashtu mund të merren si modele shtetet si Norvegjia, e cila po shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë, tani kur edhe Evropa e zhvilluar duket se nuk është hapur totalisht drejt liberalizimit të tregut.
Një ndër objektivat kryesore për krijimin e një sektori të zhvilluar të energjisë, pa dyshim është edhe integrimi në tregun rajonal të energjisë.





