Përhapja e variantit “Delta” ka rritur interesimin e qytetarëve për të marrë vaksinën kundër Coronavirusit, kështu ka thënë në një bisedë me Ekonomia Online, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
Hoti theksoi se pavarësisht procesit të vaksinimit institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshme për çdo variant që mund të paraqitet.
“Për fat të mirë ditëve të fundit ne shohim që ka një rritje të interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar kundër Covid-19. Në këtë aspekt besojmë që ka ndikuar përhapja e variantit Delta në Kosovë sepse deri në 70% të rasteve që rezultojnë pozitiv me Covid vijnë nga varianti Delta. Gjithashtu në rritjen e interesimit ka mundur të ndikojnë edhe paralajmërimet e ndryshme që mund të ketë masa të ndryshme kufizuese në rast se qytetarët nuk i përgjigjen procesit të vaksinimit. Por pavarësisht procesit të vaksinimit institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshëm për çfarëdo varianti. Nga përvojat e mëhershme institucionet shëndetësore dinë të jenë të ngarkuara kur ka raste të shumta të sëmundjes Covid-19. Por nuk ka ndonjë alternative tjetër përveç se të përgatitemi qoftë me kapacitete spitalore dhe të vazhdojmë me procesin e vaksinimit si mënyra më e vetme për t’ia dalë kundër Covid-19”, tha Hoti.





