Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, në Marinë dhe Llaushë të Skenderajt, të cilët ishin pjesë e “Grupit të Intelektualëve” dhe u rrëmbyen e u zhdukën me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë në prill të vitit 1999.
Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se mbetjet mortore të Mëziut dhe Rrecajt u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok dhe u identifikuan javë më parë përmes analizës së ADN-së.
Ai ka thënë se familjet e tyre, sikurse ajo e Adem Beqirit, i cili u varros më 3 tetor, tashmë kanë marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre, por ende presin drejtësi.
Kurti ka theksuar se dhimbja dhe ankthi vazhdojnë për familjet e më shumë se 1.500 personave që ende konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, derisa ka kërkuar trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë.
“Për më të dashurit e më shumë se 1500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbron e glorifikon kriminelët, fsheh e mohon krimet, sikurse mbyll e klasifikon dosjet, teksa vazhdon me mendësinë e viteve të ’90-ta, përveçse e domosdoshme, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe për t’i dhënë shans drejtësisë”, ka shkruar Kurti.