Ministria e Shëndetësisë e Kosovës është bërë pishman pasi publikoi për pak orë të shtunën një komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë së Greqisë, e në të cilën emri i Republikës së Kosovës paraqitej me fusnotë. Postimi që e paraqiste Kosovën me fusnotë është fshirë më vonë nga faqja e MSH-së.
“Vizita e ministrit të Shëndetësisë së Kosovës*, Dr. Rifat Latifi në Athinë, 20-22 shtator 2022”, thuhej në gjuhën angleze, në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë në Greqi, e të ripublikuar nga faqja e MSH-së së Kosovës në Facebook të shtunën rreth orës 11:00.
Komunikata njoftonte për takimet e ministrit Latifi me homologun grek dhe zyrtarë të tjerë. Në fund të komunikatës ishte vënë sqarimi për fusnotën se fusnota “është vënë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.





