Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hedhur poshtë spekulimet që ngritën udhëheqësit serbë mbi procesin e aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, kinse po ngec. Nga ministria e diplomacisë së jashtme thanë se procesi është duke u trajtuar seriozisht në Këshillin e Evropës dhe se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm.
Për mbledhjen e djeshme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, u spekulua nga kryediplomati serb se tema e Kosovës nuk u fut në agjendë, ndonëse në disa nga mediet serbe u prezantua si një ditë kyçe. Këto pretendime u rrëzuan nga MPJ e Kosovës, e cila tha se ato që u raportuan dje ishin plotësisht dezinformata.
“Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është proceduar nga Sekretarja e Përgjithshme tek Byroja e Komitetit të Ministrave dhe së shpejti pritet të procedohet tek Asambleja Parlamentare për opinion”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Gazetën Express.





