Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar të mërkurën Prokurorinë Themelore në Prizren, ku është pritur nga Kryeprokurori Petrit Kryeziu.
Gjatë takimit është diskutuar për sfidat dhe përgjegjësitë e institucioneve të drejtësisë, si dhe për nevojën e bashkëveprimit institucional për të garantuar efikasitet, profesionalizëm dhe rezultate konkrete në sistemin e drejtësisë.
“Nuk ka shtet të fortë pa drejtësi të fortë”, ka deklaruar ajo, duke theksuar se reforma në drejtësi nuk është debat politik, por proces shtetëror që synon forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Ajo ka bërë të ditur se pakoja prej pesë ligjeve përbën bazën e transformimit institucional në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, me synim rritjen e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas Gërvallës, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesi i Vettingut janë hapa të rëndësishëm drejt një sistemi drejtësie që u shërben qytetarëve dhe shtetit.
Ajo shtoi se koha e pandëshkueshmërisë nuk duhet të ekzistojë më dhe se forcimi i shtetit ligjor, institucioneve me integritet dhe barazia para ligjit mbeten të domosdoshme.
“Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka përfunduar ministrja në detyrë e Drejtësisë.