LAJME

Ministria e Mjedisit ua shkëput kontratat edhe 9 zyrtarëve serbë shkaku i mosparaqitjes në punë

Ministria e Mjedisit ua shkëput kontratat edhe 9 zyrtarëve serbë shkaku i mosparaqitjes në punë
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Gusht 2026, 19:30

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u ka shkëputur kontratat 7 zyrtarëve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe dy zyrtarëve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nga komuniteti serb, shkaku i mosparaqitjes në punë.

Ministrja në detyrë Fitore Pacolli ka thënë se ata janë të njohur edhe si pjesëtarë të ish-“Mbrojtjes Civile”.

Pacolli në Facebook ka shkruar se vendimet janë marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendet e punës dhe bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Pacolli ka thënë se me vendimet e fundit numri i kontratave të shkëputura në kuadër të MMPH-së dhe institucioneve vartëse të saj arrin në 29. Më herët u shkëputën kontratat edhe për 20 zyrtarë të MMPH-së.

“Askush nuk mund të mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse zyrtari publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe respektim të plotë të detyrës zyrtare”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika