LAJME

Ministri Murati thotë se shtesat prej 100 euro pritet të dalin gjatë ditës

Ministri Murati thotë se shtesat prej 100 euro pritet të dalin gjatë ditës
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Dhjetor 2024, 10:55

Qeveria e Kosovës ka miratuar Propozim-Vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 euro, për të gjithë fëmijët deri në 16 vjeç dhe pensionistët.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se do të jenë rreth 700 mijë përfitues të këtyre shtesave.

Murati sqaroi në lidhje nëse janë të përfshirë edhe skemat e tjera, përveç skemës së pensionit të moshës.

Ai tha se të gjitha skemat janë të përfshira – edhe kategoritë e luftës, edhe kategoritë e aftësive të kufizuara.

“I vetmi kusht është që nuk mund të përfitojë dikush, nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë. Nuk mund të përfitojë dy herë. Kriteri tjetër është se të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj.” – tha ai.

Murati tha se shtesat dhe pagat e sektorit publik pritet të dalin gjatë ditës.

Pasi ditë më parë njoftoi së bashku me kryeministrin Kurti se do t’i ndajnë nga 100 euro për fëmijët deri në 16 vjeç e pensionistët, ministri Murati ka ndarë një mundësi për ata që s’duan të përfitojnë nga kjo shtesë.

Murati kishte ndarë një link përmes së cilit – sipas tij – qytetarët të cilët nuk kanë nevojë për shtesat e Qeverisë, mund të tërhiqen duke e plotësuar një Formular.

Ndaj këtij vendimi kishin reaguar partitë opozitare – duke e quajtur këtë ndihmë si “lëmoshë” dhe “për fushatë zgjedhore”.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti edhe vitin e kaluar, pothuajse në të njëjtën kohë, kishte ndarë mjete për fëmijët, pensionistët e nënat-lehona.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika