LAJME

Ministri belg konfirmon se e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe në BE

Ministri belg konfirmon se e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe në BE
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Prill 2026, 17:47

Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prévot, tha se e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe në institucionet e Bashkimit Europian.

“Unë në mënyrë aktive do të avokoj për anëtarësimin tuaj jo në të ardhmen, por tani, në Këshillin e Europës. Është koha. Dhe Belgjika mbetet e përkushtuar të fuqizojë dialogun bilateral politik dhe të thellojë bashkëpunimin policor dhe të migracionit, veçanërisht me rëndësi duke pasur parasysh madhësinë e diasporës së Kosovës në Belgjikë dhe sfidat që ndahen sa i përket flukseve të migracionit dhe krimit të organizuar”-  tha ai në një konferencë për media gjatë vizitës në Kosovë më 16.04.2026.

Pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Glauk Konjufcën, Prevot po ashtu tha se duan të thellojnë bashkëpunimin për kapacitetet e mbrojtjes.

“Belgjika është një avokat i fuqishëm i perspektivës europiane të Kosovës, që duhet të mbështetet nga progres i besueshëm në sundimin e ligjit, reforma dhe riangazhim në dialogun Beograd-Prishtinë”- shtoi ai.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në qendër të porosisë rajonale të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor.

“Unë kam përcjellë të njëjtin mesazh dje në Beograd… Belgjika mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe kërkon angazhimin e vazhdueshëm dhe progresin e prekshëm të Marrëveshjes së Brukselit e të tjerat”- shtoi ai.

Sipas tij, progresi i vazhdueshëm drejt normalizimit kërkon vëmendje të qëndrueshme për të zvogëluar tensionet, veçanërisht në veri, duke shmangur veprimet unilaterale.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se brenda kornizës së Këshillit të Evropës, Asociacioni (i komunave me shumicë serbe) nuk është kriter i anëtarësimit, mund të jetë në procese të tjera, por në KiE nuk ka qenë.

“Këtë na ka vendosur në shpinë Lajçaku në mënyrë jomeritore, për mos me thanë të pandershme. Po edhe këtë term bën me e përdor në rastin e tij. Duhet me na ndihmu miqtë tanë me na heq këtë. Na duhet që t’i bindim edhe të tjerët që ta kenë një pozicion si Belgjika që thonë tash dhe këtu duhet të anëtarësohet Kosova” – tha ai gjatë konferencës për media me Prévot.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës me dorëzimin e aplikacionit nga ish-zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.

Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit 2024 kishte marrë vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, që ishte kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Pas këtij vendimi, vendi mori dy herë dritën e gjelbër, e në të tretën u “kurthua”. Ishte kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projekt-statutit për themelimin e Asociacionit si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.

Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Europian, ishte arsyeja që la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës më 17.05.2024.

Zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

Më 16.05.2024, Gërvalla kishte dërguar një letër në adresë të presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për, siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim”. Ky veprim ngriti pikëpyetje nëse ka qenë i duhur, apo i gabuar.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika