Tre nga gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë në botë – Meta (Instagram), ByteDance (TikTok) dhe Google (YouTube) – përballen këtë javë me një proces gjyqësor që mund të ndryshojë përgjithmonë internetin.
Në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit ka nisur përzgjedhja e jurisë për atë që konsiderohet si një gjyq historik, ku kompanitë akuzohen se kanë dëmtuar qëllimisht shëndetin mendor të fëmijëve për përfitime financiare.
Ndërkohë, kompania e katërt e përfshirë fillimisht, Snap Inc. (Snapchat), arriti një marrëveshje javën e kaluar, duke e mbyllur çështjen për një shumë të papublikuar.
Rasti “KGM”, 19-vjeçarja që sfidon “Big Tech”
Në qendër të kësaj beteje ligjore është një 19-vjeçare, e identifikuar me inicialet “KGM”. Ajo është një nga tre paditëset që shërbejnë si “raste testuese” për mijëra padi të tjera të ngjashme që presin radhën.
KGM pretendon se përdorimi i mediave sociale që në fëmijëri i shkaktoi varësi të rëndë, duke i përkeqësuar depresionin dhe duke e çuar drejt mendimeve vetëvrasëse. Strategjia e avokatëve të paditësve është të provojnë se kjo nuk ndodhi rastësisht, por ishte rezultat i një dizajni të qëllimshëm.
Akuzat
Padia përdor një gjuhë të ashpër, duke i krahasuar taktikat e kompanive teknologjike me ato të industrisë së duhanit dhe lojërave të fatit.
“Duke huazuar teknika neurobiologjike nga makinetat e fatit dhe industria e cigareve, të paditurit përfshinë qëllimisht karakteristika dizajni për të maksimizuar angazhimin e të rinjve dhe për të rritur të ardhurat nga reklamat,” thuhet në dosje.
Nëse paditësit arrijnë të provojnë se dëmi erdhi nga “dizajni i produktit” (si p.sh. njoftimet e vazhdueshme, “scroll”-i i pafundëm), ata mund të anashkalojnë mbrojtjen që u jep Seksioni 230 – ligji që zakonisht i mbron platformat nga përgjegjësia për përmbajtjen e postuar nga përdoruesit.
Zuckerberg pritet të dëshmojë
Gjyqi pritet të zgjasë nga gjashtë deri në tetë javë dhe do të ketë dëshmitarë të profilit të lartë, përfshirë CEO-n e Meta-s, Mark Zuckerberg. Ekspertët ligjorë e shohin këtë moment të ngjashëm me gjyqet e vitit 1998 kundër kompanive të duhanit, të cilat u detyruan të paguanin miliarda dollarë dëmshpërblim.
Mbrojtja e kompanive
Gjigantët e teknologjisë i kanë mohuar kategorikisht akuzat. Meta, në një deklaratë zyrtare, argumentoi se problemet e adoleshentëve nuk mund të thjeshtohen duke fajësuar vetëm rrjetet sociale, duke përmendur faktorë të tjerë si presioni akademik apo abuzimi me substancat. Edhe Google (YouTube) deklaroi se akuzat “thjesht nuk janë të vërteta”, duke theksuar se siguria e të rinjve është thelbësore për platformën e tyre.
Ky gjyq i hap rrugën një serie përballjesh ligjore, ku përfshihen edhe padi nga distrikte shkollore dhe mbi 40 prokurorë të përgjithshëm shtetërorë në SHBA./sinjali/
