Home LAJME Mes të ftohtit me ajër të pastër dhe të ngrohtit me ajër të ndotur, kosovarët zgjedhin të dytën

Mes të ftohtit me ajër të pastër dhe të ngrohtit me ajër të ndotur, kosovarët zgjedhin të dytën

0
Mes të ftohtit me ajër të pastër dhe të ngrohtit me ajër të ndotur, kosovarët zgjedhin të dytën

Me rënien e temperaturave dhe me dimrin që po afron, shoqëria kosovare ndodhet para vendimeve të vështira.

Duke e pasur parasysh faktin se shumë familje e përdorin energjinë elektrike si burim për ngrohje gjatë dimrit, tani paraqitet rreziku që sistemi i energjisë elektrike të ngarkohet dhe si pasojë të ketë reduktime të rrymës.

Për ta parandaluar këtë, Qeveria e Kosovës ka nisur t’i inkurajojë qytetarët që t’u drejtohen metodave alternative për ngrohje, në mënyrë që të zbritet varësia nga energjia elektrike, shkruan Klan Kosova.

Më 6 tetor, Ministria e Ekonomisë bëri thirrje publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët, ku deri në këtë fazë aplikuan në total 5992 qytetarë. Nga kjo shifër, 1207 qytetarë kanë aplikuar për stufë me biomasë që si lëndë djegëse mund ta përdorin drurin, peletin, briketin dhe thëngjillin.

E po sot, e njëjta Ministri është duke e bërë thirrjen e dytë për t’i mbështetur qytetarët me pajisje për ngrohje gjatë dimrit, meqë në thirrjen e parë nuk u shpenzuan të gjitha mjetet.

Me inflacionin e shkaktuar nga lufta në Ukrainë si pasojë e agresionit rus, janë ngritur çmimet për shumë produkte, dhe në to përfshihet edhe druri. Një metër kub dru momentalisht shitet për rreth 60 euro; ndërsa thëngjilli kushton më lirë për faktin se Kosova është e pasur me këtë lloj minerali.

Dhjetë tonë qymyr kushtojnë rreth 200 euro dhe një sasi e tillë është e mjaftueshme për një familje për ta kaluar dimrin. Andaj, nuk është larg mendsh që shumë familje që jetojnë nëpër shtëpi do t’i drejtohen qymyrit si lëndë djegëse për ngrohje. Por edhe kjo ka koston e saj.

Djegia e thëngjillit është një ndër shkaktarët kryesorë për ndotjen e ajrit. Në vitin 2018, është marrë vendim që punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të mos u jepet thëngjill falas, e krejt kjo për ruajtjen e ambientit.

Mirëpo, ky vendim është shfuqizuar këtë vit dhe tani punëtorëve të KEK-ut iu lejohet që të furnizohen falas me thëngjill për ngrohje.

Po këtë vit është pezulluar edhe vendimi që ndalonte përdorimin e thëngjillit nëpër shkolla. Tani shkollat e Kosovës mund të blejnë thëngjill për ngrohje gjatë sezonit të dimrit.

Në një prononcim për Klankosova.tv, ambientalisti Shyqri Dumani thotë se në krizën energjetike në të cilën ndodhet i gjithë rajoni dhe më gjerë, Kosova të vetmin opsion për ta kaluar këtë dimër e ka djegien e druve dhe qymyrit.

“Duke pasur parasysh krizën energjetike regjionale dhe botërore, Kosova në mungesë të energjisë elektrike nuk mund të përballojë këtë dimër nga të ftohtit. Burime alternative nuk ka, përveç importit që është çmim i lartë duke e konsideruar se ka mungesë të energjisë në regjion. Prandaj, përdorimi i druve dhe qymyrit është i vetmi opsion për ta kaluar këtë dimër. Natyrisht se do kemi një ndotje të madhe të ajrit dhe një zgjidhje të keqe”, u shpreh Dumani.

Ndërsa pulmologu Besim Morina tregon se ajri i ndotur është i dëmshëm për të gjitha organet, por veçanërisht i prekë mushkëritë dhe sistemin respirator.

“Efektet e ndotjes shfaqen në formë të çrregullimeve të funksionit të mushkërive, përkeqësimit të sëmundjeve pre-ekzistuese të frymëmarrjes dhe shfaqjes së simptomave të ndryshme te personat paraprakisht të shëndoshë. Personat më të ndjeshëm janë pikërisht ata me probleme kronike respiratore, si ata me astmë bronkiale, bronkit kronik apo emfizemë. Këta mund të përjetojnë një përkeqësim të sëmundjes së tyre”.

Ai shton se sidomos gjatë sezonit të dimrit, rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë si pasojë e ndotjes së ajrit.

“Gjatë muajve të ftohtë të vitit, kur edhe ndotja është më e lartë, vërehet një rritje e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore apo edhe rritje të hospitalizimeve. Këtij grupi të personave iu rekomandohet që ta zvogëlojnë kohën e ekspozimit në ajrin e ndotur, këtë duke i evituar lëvizjet jashtë gjatë orëve me ndotjen më të lartë apo qëndrimin jashtë qyteteve për një periudhë kohore”, thotë pulmologu Morina.

Pra në mes të të ftohtit me ajër të pastër dhe të ngrohtit me ajër të ndotur, shoqëria kosovare është e detyruar ta zgjedh alternativën e dytë.

Ende pa hyrë në dimër, monitoruesi për cilësinë e ajrit tregon se ajri ka filluar të përkeqësohet dhe natyrisht se me rënien e temperaturave nën zero, gjendja do të bëhet alarmante.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here