Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zyrtarizuar sot kandidaturën për kryetar të partisë, për zgjedhjet që do të mbahen më 3 korrik, ka bërë të ditur PDK-ja përmes një njoftimi të hënën. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Krasniqi përmes një postimi në Facebook.
Ai është zyrtari i parë që zyrtarizon kandidaturën për të parin e partisë.
Nga fundi i vitit të shkuar, kur Kadri Veseli shkoi në Hagë, e deri më tash, partia ishte me ushtrues detyre. Ishte Enver Hoxhaj që udhëhoqi partinë për disa muaj.
“Më 3 korrik, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e PDK-së. Duke qenë krenar me rrugëtimin tonë për Kosovën, dhe duke ndier përgjegjësinë e madhe që kemi për të ardhmen, unë kam vendosur që të kandidoj për të udhëhequr PDK-në. Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithsecilin që do dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore”, ka thënë Krasniqi.