Në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Gjermani, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë – Bundesëehr, u prit nga homologia e tij, Ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht dhe stafi i saj.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga ministria e Mbrojtjes e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Me këtë rast krahas diskutimit për situatën e re gjeopolitike dhe sfidat në mjedisin aktual të sigurisë, të dy ministrat diskutuan edhe nivelin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes si dhe fushat për thellimin e mëtejmë mes dy ministrive respektive”, u tha në komunikatë.
Nga ana e tij, krahas shprehjes së falënderimit për mbështetjen e madhe në ndërtimin dhe zhvillimin e FSK-së, Ministri Mehaj ritheksoi mirënjohjen e thellë për investimet gjermane në vendin tonë si dhe për kontributin shumë të çmueshëm të trupave ushtarake të forcave gjermane në operacionin e KFOR-it në sigurinë e vendit dhe qytetarëve tanë .
Nga ana e saj, Ministrja Lambrecht shprehu mirënjohjen për mbështetjen e operacionit humanitar të NATO-s nga FSK për evakuimin e afganëve, mbështetjes së popullit dhe Qeverisë së Ukrainës dhe sanksioneve kundër Rusisë si dhe ofroi mbështetjen në vizionin tonë për anëtarësim në NATO.