Hapësirë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të ndryshuar propozimin evropian për “marrëveshjen bazë“ për normalizimin e raporteve nuk ka. Ata të hënën do të diskutojnë për implementimin e propozimit e jo për përmbajtjen pasi përmbajtja është tepër mirë e njohur për ta.
Kështu ka thënë të premten në Bruksel një zyrtarë i lartë i BE-së duke folur në prag të takimit të së hënës mes Kurtit e Vuçiqit në kuadër të dialogut në nivel të lartë.
Fakti se ky takim është shtyrë kaq gjatë, se ndërkohë propozimi ka marrë një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe se BE-ja ka thënë më herët se nuk do të thërrasin takim të tillë përderisa nuk do të kenë sinjal të qartë se në të do të ketë rezultate konkrete, bën që optimizmi në Bruksel kësaj radhe është më i madh sesa më herët.
Burimet në Bruksel kanë thënë se presin që Kurti dhe Vuçiqi, pa diskutime të mëtejme ta pranojnë propozimin dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes. Sepse, nëse do të nisin të kërkojnë ndryshime në tekst, atëherë gjithçka mund të devijojë.
“Ky do të jetë takimi i gjashtë me radhë në mes të këtyre dy liderëve. Por pa dyshim është më i rëndësishmi deri më tash sepse në të do pajtohen për marrëveshje bazë e në takimet e fundit ishin marrë më shumë për menaxhimin e krizave. Presim pra që këta liderë të hënën të miratojnë propozimin sepse për përmbajtjen e tij janë në dijeni që nga shtatori. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për pjesët tjera“ ka thënë ky burim.
Sipas zyrtarit të lartë të BE-së “çështja më e vështirë pritet të jetë krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, por ka shtuar se Kosova e ka të qartë se duhet, pa kushte, ta implementojë këtë obligim.
“Asociacioni është pjesë e këtij propozimi. Pra me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni“ ka thënë ky zyrtar i Bashkimit Evropian.
