LAJME

Mbyllet aktiviteti i hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit” në zonën e mbrojtur të Radoniqit

Mbyllet aktiviteti i hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit” në zonën e mbrojtur të Radoniqit
TV Prizreni
TV Prizreni
21 Gusht 2026, 19:20

Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e veprimtarisë së hotelit dhe restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila tha se aktiviteti është zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor dhe rregullat për mbrojtjen e burimeve të ujit të pijshëm.

Sipas Pacollit, operatorit i është dhënë afat prej 10 ditësh për largimin e pajisjeve nga prona. Ndërkohë, KRU “Gjakova” është obliguar të sigurojë zbatimin e këtij vendimi dhe të shkëpusë kontratën me operatorin.

Ministrja ka deklaruar se aktiviteti ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Ujërat, Vendimin 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit, si dhe me akte të tjera nënligjore.

Pacolli ka theksuar se shkeljet, sipas saj, kanë paraqitur rrezik për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm, ndërsa ka bërë të ditur se Ministria ka kërkuar hetim të plotë për rrethanat që kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti.

Hetimi, sipas saj, duhet të përfshijë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë keqpërdorur detyrën duke lejuar vazhdimin e kësaj veprimtarie.

“Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve”, ka deklaruar Pacolli, duke theksuar se mbrojtja e ujërave të Kosovës duhet të bëhet pa përjashtim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika