Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, në bazë të kompetencave të tij ligjore, ka marrë vendim për themelimin e dy mekanizmave brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.
Sipas njoftimit, Mekanizmi Mbikëqyrës i Punës së Prokurorit të Shtetit ka për detyrë të analizojë cilësinë e akteve akuzuese të hedhura me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe të akteve akuzuese, të cilat kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese të formës së prerë në rastet me prioritet, veçanërisht të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe të analizojë aktvendimet gjyqësore të formës së prerë lidhur me kërkesat e prokurorive për çështje procedurale, duke respektuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të Prokurorit të Shtetit.
“Prokurorët e angazhuar në këtë mekanizëm, me rastin e analizimit dhe sipas të gjeturave të tyre të rasteve që kanë epilog të formës së prerë, japin rekomandime profesionale për rastet e trajtuara dhe ia përcjellin Kryeprokurorit të Shtetit, i cili ndërmerr veprime me qëllim të vlerësimit të ligjshmërisë dhe unifikimit të praktikave institucionale, të cilat synojnë ngritjen e cilësisë së punës dhe evitimin e lëshimeve eventuale profesionale nga prokurorët e shtetit në të ardhmen.” – thuhet në njoftim.





