Kosova po bën hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, derisa bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet sektorit publik dhe privat me përkrahjen e partnerëve strategjikë, i bën këta hapa më të qëndrueshëm.
Kjo u tha gjatë një takimi ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, bëhet e ditur në njoftimin e Odës Ekonomike Amerikane.
Duke ndarë vizionin e tij për zhvillimin e aftësive industriale në fushën e mbrojtjes, ministri Maqedonci, foli për aktivitetet e ndërmarra për hartimin e legjislacionit për industrinë e mbrojtjes.
Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane për partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes përgjatë dy viteve të fundit, përfshirë edhe organizimin e garës së parë për drona “Sharkathon”, të mbajtur vitin e kaluar.
Ai foli edhe për disa ndërmarrje të reja të krijuara të cilat po sjellin produktet e para të prodhuara në Kosovë, si dëshmi e përpjekjeve të viteve të fundit, por edhe potencialit për inovacion teknologjik në këtë fushë.
Ministri Maqedonci foli edhe për rëndësinë e përpjekjeve të strukturuara me institucione të tjera, si Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore, për zhvillimin e kuadrove të punës, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.





