Komisioni Qendor i Zgjedhjeve ka hapur regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, që nga 29 gushti i këtij viti, e në këtë institucion deri më tani janë regjistruar 5 mijë e 571 shtetas të Kosovës të cilët duan të votojnë në zgjedhje.
Kështu ka bërë të ditur për teve1.info zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se procesi i regjistrimit do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 6 tetor 2024, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 6,069 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 5,571, ndërsa 498 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, ka thënë Elezi.
Elezi ka thënë se nga 5 mijë e 571 shtetas, 1 mijë e 912 persona janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 615 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletvotim në kutinë postare të KQZ-së dhe 3 mijë e 8 persona për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës
“Nga 5,571 aplikime të aprovuara, 1,912 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 651 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 3,008 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, njoftoi Elezi.
“Shumë nga aktivitetet zgjedhore të cilat ndërlidhen me votuesit kanë filluar dhe janë në zhvillim e sipër, siç është periudha për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (29 gusht – 26 dhjetor 2024); periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës (29 gusht – 26 dhjetor 2024) dhe periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese (29 gusht – 28 dhjetor 2024). Gjithashtu, është duke u zhvilluar edhe periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë (1 shtator – 11 dhjetor 2024)”, përfundoi ai.