Më 29 mars Kosova ka filluar vaksinimin e qytetarëve me vaksinat kundër COVID-19, ku fillimisht janë vaksinuar profesionistët shëndetësor e pastaj grup mosha mbi 80 vjeç.Po ashtu, më 16 prill në Prishtinë dhe në të gjitha komunat tjera ka filluar vaksinimi i pacientëve të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim.
Vaksinimi i qytetarëve është duke vazhduar sipas planit të paraparë nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa deri tani janë vaksinuar mbi 18 mijë qytetarë.
Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin, Ministria e Shëndetësisë, ku po ashtu deklarojnë se vaksina nuk ka pasur efekte serioze.“Numri i te vaksinuarve në Kosove me vaksinën Astra Zeneca e ka kaluar shifrën mbi 18.000.
Deri tash nuk ka pasur efekte te padëshiruara serioze të ndërlidhura me marrjen e vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.Kosova kishte pranuar gjatë muajit mars 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.
Këto dërgesa ishin të parat për Kosovën, të cilat ishin siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.Së fundmi Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Ndërkaq edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë ditës së sotme ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për blerjen e vaksinave antiCOVID-19 nga kompania Pfizer.Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë 13 mars 2020 e deri tani numri total i rasteve pozitive është 101.794 raste nga 502.159 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.086 raste të vdekjes.Aktualisht raste aktive janë 12 mijë e 285.